Izraeli akuzon për shkelje të armëpushimit, kërcënon me përgjysmim të ndihmave - NACIONALE

Izraeli akuzon për shkelje të armëpushimit, kërcënon me përgjysmim të ndihmave

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Armëpushimi i brishtë në luftën mes Izraelit e Hamasit u testua të martën, përderisa kthimi më ngadalë se që pritej i pengjeve të vdekura nga Gaza nxiti një agjenci ushtarake izraelite që të shpallte një “shkelje” të marrëveshjes së armëpushimit, të cilës tha se do t’i përgjigjej duke e përgjysmuar numrin e kamionëve që do të lejohen të fusin ndihma humanitare në enklavën e shkatërruar.

Çështja e pakësimit të ndihmave iu përçua zyrtarëve amerikanë dhe grupeve ndërkombëtare të ndihmave, sipas tri burimeve të agjencisë së lajmeve “Associated Press”, të cilat folën në kushte anonimiteti për të diskutuar rreth temës. Qeveria e Izraelit nuk komentoi menjëherë.

Një ditë më parë, izraelitët festuan për kthimin e 20 pengjeve të fundit të gjalla në Gaza dhe palestinezët gjithashtu u gëzuan për lirimin e rreth 2.000 të burgosurve dhe të ndaluarve nga burgjet izraelite si pjesë e fazës së parë të armëpushimit.

Megjithatë, tani vëmendja në Izrael është kthyer tek ajo se kur Hamasi do t’i kthejë të gjithë trupat e pengjeve që kanë vdekur në robëri. Përderisa zyrtarët izraelitë kuptonin se mund të ketë ca vonesa në tërheqjen e trupave, familjet e pengjeve dhe mbështetësit e tyre e shprehën zemërimin me faktin se vetëm katër prej 28 trupave u kthyen të hënën.

Në Gaza, Ministria e Shëndetësisë tha se trupat e tre të vrarëve nga ushtria izraelite në pjesën veriore të enklavës u dërguan në spitalin “Al Ahli”. Ushtria izraelite tha se trupat atje “hapën zjarr për ta larguar rrezikun” e afrimit të disa njerëzve te ta dhe mosrespektimin e urdhrave për t’u ndalur. Ushtria nuk komentoi menjëherë për ndonjë viktimë.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, trupat izraelite u tërhoqën deri në pikat ku ndodheshin në gusht, para nisjes së ofensivës më të re ndaj Qytetit Gaza. Sidoqoftë, kjo tërheqje lë nën kontroll izraelit një numër të lagjeve palestineze të goditura rëndë dhe Izraeli i ka paralajmëruar banorët që të mos mundohen që të kthehen në shtëpitë e tyre atje./Nacionale

Lajme të ngjashme