Iu nënshtrua operacionit për heqjen e prostatës, si është gjendja e Netanyahut? - NACIONALE

Iu nënshtrua operacionit për heqjen e prostatës, si është gjendja e Netanyahut?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zgjuar dhe po e merr veten pas një operacioni të suksesshëm për heqjen e prostatës në Qendrën Mjekësore “Hadassah” në Jerusalem, tha zyra e tij në një deklaratë të dielën vonë, duke shtuar se kreu i Qeverisë është vendosur në një repart të fortifikuar nëntokësor për t’u shëruar.

“Operacioni përfundoi me sukses, pa ndërlikime. Kryeministri është zgjuar, është në gjendje të mirë dhe plotësisht i vetëdijshëm” – thuhet në një deklaratë të Zyrës së Kryeministrit, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Pritet që ai të qëndrojë për disa ditë nën vëzhgim në repartin e fortifikuar, në kohën e frikës se kryeministri mund të vihet në shënjestër me raketa, përderisa lufta kundër Hamasit po vazhdon.

Netanyahu ishte nën ndikimin e anestezisë së plotë gjatë operacionit, për të cilin zyra e tij tha se u caktua pasi mjekët zbuluan një infeksion në traktin urinar që kishte rezultuar nga zmadhimi beninj i prostatës.

Në një deklaratë tjetër nga spitali, shefi i departamentit të urologjisë, prof. Ofer Gofrit, tha se operacioni u zhvillua “ashtu siç ishte planifikuar”.

Mediat izraelite raportuan se zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Yariv Levin, ishte ngarkuar përkohësisht me autoritetin e kryeministrit gjatë operacionit, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ishte i autorizuar për ta mbledhur kabinetin e sigurisë, nëse do të ishte e nevojshme.

Si 75-vjeçar, Netanyahu është në mesin e udhëheqësve më të moshuar në botë, bashkë me presidentin 82-vjeçar të ShBA-së, Joe Biden, e presidentin 78-vjeçar të Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva.

Sipas uebfaqes së klinikës “Mayo”, pacientët që i nënshtrohen operacionit për heqjen e prostatës largohen nga spitali pas një ose dy ditëve, por ka gjasa që u vendoset një katetër që duhet ta mbajnë për shtatë deri në dhjetë ditë pas operacionit.

Kjo klinikë rekomandon që pacientët t’i rinisin aktivitetet “ngadalë me kalimin e kohës” dhe thotë se pacientët mund t’i kthehen “rutinës së zakonshme pas katër deri gjashtë javësh”./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme