Iu gjetën 190 kufoma, dënohet me shumë marramendëse shtëpia e funeraleve në ShBA
Një shtëpi funeralesh, ku ishin gjetur 190 trupa që po dekompozoheshin, është urdhëruar që t’u paguajë 950 milionë dollar familjeve të viktimave.
Shtëpia “Kthimi në Natyrë”, në qytezën Penrose të Kolorados, u kishte dhënë hi të rremë të afërmve në vend të mbetjeve të të dashurve të tyre, raporton televizioni BBC.
Një gjykatës dha urdhër për këtë pagesë në një rast civil, por ka pak gjasa që shuma të paguhet, pasi pronarët e shtëpisë së funeraleve, Jon dhe Carie Hallford, kishin qenë në vështirësi serioze financiare.
Asnjëri prej tyre nuk kanë marrë pjesë në seancat e gjykatës. Hallfordi është në ndalim, ndërsa bashkëshortja e tij është e liruar me kusht.
“Kurrë nuk do të marr as dhjetë centë prej tyre, prandaj, nuk di, është paksa frustruese” – tha Crystina Page, e cila e kishte angazhuar këtë shtëpi të funeraleve për t’i djegur mbetjet e të birit të saj më 2019.
Zonja Page, e cila i kishte mbajtur ato që mendonte se ishin mbetjet e të birit për katër vjet, para se trupi i tij të identifikohej në hapësirën e kompanisë, gjithashtu tha se mosparaqitja e çiftit në gjykatë ishte si goditje në fytyrë.
Avokati i viktimave, Andrew Swan, i tha agjencisë “Associated Press” se përderisa pozicioni financiar i çiftit ishte i njohur që nga fillimi, klientët e tij duan përgjigje.
Më shumë se 100 anëtarë të familjeve janë të përfshirë në rastin civil, i cili është lënë i hapur në rast se paraqiten persona të tjerë që ankohen se kanë qenë viktima./Nacionale