Italia kërkon garanci të sigurisë për trupat e saj në Liban - NACIONALE

Italia kërkon garanci të sigurisë për trupat e saj në Liban

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, të martën kërkoi garanci të sigurisë për të gjitha trupat e vendit të saj që janë të dislokuara në Liban, ku paqeruajtësit e OKB-së janë ballafaquar me zjarr gjatë konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Italia ka trupa të dislokuara në misionin paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara, i njohur si UNIFIL, dhe në një mision tjetër të njohur si MIBIL, me të cilin trajnohen forcat e armatosura lokale. Më shumë se një mijë ushtarë italianë janë pjesë e Forcës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban, raporton agjencia “Reuters”.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së shprehu shqetësim të hënën, pasi disa pozicione të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara u ballafaquan me zjarr në jug të Libanit dhe u bëri thirrje të gjitha palëve – pa i përmendur me emra – që ta respektojnë sigurinë e personelit dhe ndërtesave të UNIFIL-it.

“Ne besojmë se qëndrimi i forcave izraelite është tërësisht i pajustifikuar” – tha kryeministrja italiane, duke e përshkruar atë si “shkelje flagrante” e një rezolute të OKB-së për përfundimin e armiqësive mes Hezbollahut dhe Izraelit.

Në një adresim në Senatin e Italisë, ajo tha se veprimet e Izraelit nuk janë të pranueshme dhe se ia kishte shprehur këtë pozicion homologut izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kur u pyet nëse ishte duke shqyrtuar një vizitë në Liban, Meloni para gazetarëve tha: “Po.”

Netanyahu ka mohuar se trupat izraelite qëllimisht i kanë vënë në shënjestër paqeruajtësit e UNIFIL-it në Liban dhe dëshiron që paqeruajtësit të tërhiqen nga zonat e luftimeve.

Italia ka protestuar para Izraelit dhe u është bashkuar aleatëve në dënimin e sulmeve ndaj paqeruajtësve./Nacionale

Lajme të ngjashme