Italia ia njeh tre prindër një fëmije: dy baballarë e një nënë - NACIONALE

Italia ia njeh tre prindër një fëmije: dy baballarë e një nënë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë italiane përmes një vendimi i ka dhënë një fëmijë 4-vjeçar tre prindër të njohur ligjërisht – dy baballarë e një nënë. Vendimi i ka zemëruar katolikët konservatorë.

Për vendimin u raportua të martën nga disa media italiane dhe ai u konfirmua nga Pasqua Manfredi, avokate e njërit prej baballarëve të fëmijës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Fëmija është lindur në Gjermani dhe jeton atje me dy burra që janë të martuar, njëri prej të cilëve baba biologjik, i cili fëmijën e ka me një grua që është mike e çiftit.

Babai jobiologjik, i cili është italo-gjerman, pastaj e adoptoi fëmijën sipas ligjit gjerman, por kërkoi që adoptimi t’i njihej edhe në Itali.

Një autoritet lokal e hodhi poshtë kërkesën, duke dyshuar se fëmija është lindur nga surrogacia e kryer jashtë vendit – praktikë që është kriminalizuar nga qeveria konservatore italiane.

Megjithatë, një gjykatë apeli në qytetin Bari e rrëzoi vendimin, duke pranuar se nuk kishte surrogaci në familje.

Vendimi i gjykatës, i cili është përfundimtar, do të thotë se Italia, njësoj si Gjermania, pranon se fëmija ka dy baballarë të njohur ligjërisht dhe një nënë.

“Nuk pati marrëveshje sekrete për surrogaci këtu, ky është një rast i tre njerëzve që të gjithë duan të jenë prindër të fëmijës dhe gjykata e njohu këtë” – tha avokatja Manfredi.

Vendimi ishte marrë në janar, por u publiku në kohën kur Italia e shënoi 10-vjetorin e votimit në Kuvend për legalizimin e lidhjeve të gjinisë së njëjtë.

Grupi katolik që bën fushatë për ato që i quan vlera të familjes tradicionale, “Pro Vita & Famiglia”, e dënoi vendimin e gjykatës dhe tha se njohja ligjore e unioneve të gjinisë së njëjtë “e ka përmbysur ligjin për familjen, duke i shpërfaqur të miturit ndaj të gjitha llojeve të eksperimentimeve sociale e ideologjike”./Nacionale

Lajme të ngjashme