"Reuters": ISIS-i po i riaktivizon luftëtarët, e synon rikthimin në Siri e Irak - NACIONALE

"Reuters": ISIS-i po i riaktivizon luftëtarët, e synon rikthimin në Siri e Irak

2 javë më parë

nga NACIONALE

Udhëheqës të Lindjes së Mesme dhe aleatët e tyre perëndimorë kanë paralajmëruar se ISIS-i mund ta shfrytëzojë rënien e regjimit të Assadit për t’u rikthyer në Siri dhe në Irakun fqinj, ku grupi ekstremist dikur paraqiste terror për miliona njerëz.

ISIS-i ka qenë duke bërë përpjekje pikërisht për këtë, sipas më shumë se 20 burimeve, përfshirë zyrtarë të sigurisë dhe politikës nga Siria, Iraku, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, si dhe disa diplomatë në rajon. Grupi e ka filluar riaktivizimin e luftëtarëve në të dyja vendet, duke identifikuar shënjestra, duke shpërndarë armë dhe duke i shtuar përpjekjet për rekrutim dhe propagandë, thanë burimet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Deri më tani, rezultatet e këtyre përpjekjeve duken të kufizuara. Operativët e sigurisë në Siri dhe Irak, të cilët kanë qenë duke e vëzhguar ISIS-in me vite, i thanë agjencisë “Reuters” se kanë zbuluar të paktën 12 komplote domethënëse këtë vit.

Një rast ndodhi në dhjetor, muaji kur u rrëzua nga pushteti Bashar al-Assadi i Sirisë. Përderisa rebelët po avanconin drejt Damaskut, komandantët e ISIS-it të strukur afër Raqqa-s, ish-kryeqytet i kalifatit të tyre të vetëshpallur, dërguan dy emisarë në Irak, i thanë agjencisë “Reuters” pesë zyrtarë irakianë të antiterrorizmit. Megjithatë, ata u kapën në një pikë kontrolli, përderisa po udhëtonin në Irakun verior më 2 dhjetor, thanë zyrtarët.

Njëmbëdhjetë ditë më vonë, forcat irakiane të sigurisë, duke vepruar sipas informatave nga emisarët, përcollën një bombardues të dyshimtë vetëvrasës të ISIS-it në një restorant të mbushur me njerëz në qytezën Daquq duke e përdorur telefonin e tij, thanë ata. Forcat e qëlluan për vdekje burrin para se ai të mund ta aktivizonte rripin e mbushur me lëndë shpërthyese.

ISIS-i e ka marrë përgjegjësinë për 38 sulme në Siri në pesë muajt e parë të këtij viti. Në Irak, ku grupi i kishte vënë themelet, ISIS-i e ka marrë përgjegjësinë për katër sulme në pesë muajt e parë të vitit 2025, në krahasim me gjithsej 61 vitin e kaluar.

Qeveria e Sirisë, e udhëhequr nga presidenti i përkohshëm, Ahmed al-Sharaa, nuk iu përgjigj pyetjeve rreth aktiviteteve të ISIS-it. Ministri i Mbrojtjes, Murhaf Abu Qasra, i tha agjencisë “Reuters” në janar se vendi i tij ishte duke zhvilluar përpjekje për grumbullim të të dhënave të inteligjencës dhe se shërbimet e sigurisë do të adresonin çfarëdo rreziku.

Disa zyrtarë lokalë dhe evropianë janë të shqetësuar se luftëtarë të huaj mund të jenë duke udhëtuar në Siri për t’u bërë pjesë e grupeve xhihadiste. Për herë të parë në disa vjet, agjencitë e inteligjencës vëzhguan një numër të vogël të luftëtarëve të huaj të dyshuar duke shkuar nga Evropa në Siri muajve të fundit, i thanë agjencisë “Reuters” dy zyrtarë evropianë, edhe pse ata nuk treguan nëse të huajt ishin rekrutuar nga ISIS-i apo nga ndonjë grup tjetër./Nacionale

Lajme të ngjashme