ISIS-i jep më shumë hollësi për sulmin afër Moskës
Grupi ISIS ka lëshuar një deklaratë plotësuese me më shumë hollësi për sulmin e së premtes në një sallë koncertesh në periferi të Moskës, për të cilin më herët e ka marrë përgjegjësinë.
Në hollësitë e reja, të publikuara përmes llogarive të grupit në rrjetin “Telegram”, thuhet se katër sulmues ishin të përfshirë në sulmin vdekjeprurës dhe u publikua një fotografi në të cilën pretendohet se shfaqen katër autorët, të gjithë të maskuar, raporton televizioni BBC.
Deklarata plotësuese vjen nga faqja e lajmeve e këtij grupi, “Amaq”, e cila gjithashtu ishte burim i pretendimit fillestar për përgjegjësinë për sulmin.
Në asnjërën prej dy deklaratave të ISIS-it në “Amaq” nuk tregohet se cila nga degët e grupit është përgjegjëse për sulmin.
Sa i përket motivit, faqja “Amaq” thotë se “sulmi vjen në kontekstin e luftës së vazhdueshme normale mes Shtetit Islamit dhe shteteve [anti-islame]”.
Kjo faqe thotë se sulmi u krye nga “luftëtarë” për të cilët pretendon se ishin të armatosur me “mitralozë, një pushkë, thika dhe bomba ndezëse” dhe se sulmi u parapri nga një mision “i bashkërenduar” gjurmimi.
Rusia nuk i ka komentuar ende pretendimet e ISIS-it, por ShBA-ja ka thënë se mund të besohet që ky grup mund të ketë qenë prapa sulmit.