Ish-ushtari britanik dënohet me burgim të gjatë për mbledhje të të dhënave për Iranin
Një ish-ushtar britanik u dënua me mbi 14 vjet burgim për mbledhje të të dhënave të ndjeshme për Iranin dhe për grumbullimin e emrave të personelit të forcave speciale para se të ikte për një kohë të shkurtër nga burgu përderisa ishte në pritje të gjykimit.
Daniel Abed Khalife ishte shpallur fajtor në nëntorin e vitit të kaluar për grumbullim të të dhënave ushtarake dhe të klasifikuara për Iranin më periudhën nga viti 2019 deri më 2022, dhe për sigurim të informatave që me gjasë do të ishin të dobishme për terrorizëm, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Khalife, i cili ishte liruar nga detyra nga forcat e armatosura pas ngritjes së aktakuzës kundër tij, gjithashtu pranoi se kishte ikur nga burgu “Wandsworth” në Londër në shtatorin e vitit 2023, përderisa ishte në pritje të gjykimit për akuza të tjera. Ai e lidhi veten për pjesën e poshtme të një furgoni, duke nxitur operacion gjithëkombëtar të kërkimit para se të kapej disa ditë më vonë.
Burri 23-vjeçar, nëna e të cilit është lindur në Iran, kishte thënë se ishte patriot dhe i kishte kontaktuar shërbimet britanike të inteligjencës, MI6 dhe MI5, për kontaktet e tij, duke thënë se donte të bëhej “agjent i dyfishtë”. Ai kishte thënë se ai dhe familja e tij e urrenin Qeverinë e Iranit.
Megjithatë, gjykatësja Bobbie Cheema-Grubb i tha atij se ishte bërë pjesë e një plani “të rrezikshëm e fantastikor” për një “vetëdëshirë për t’u mburrur”.
Ajo e dënoi ish-ushtarin me 14 vjet e tre muaj burgim, duke thënë se ai i kishte shfaqur shenjat e një ushtari shembullor, por se ishte bërë një “budalla i rrezikshëm”./Nacionale