Ish-presidentit të Katalonjës i hiqet imuniteti, mund të ekstradohet në Spanjë
Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian të mërkurën ia hoqi imunitetin që e kishte si euro-deputet ish-presidentit të Katalonjës, Carles Puigdemont, i cili para disa viteve e udhëhoqi përpjekjen e dështuar për pavarësi nga Spanja dhe i cili ballafaqohet me procedura ligjore në Madrid.
Ky vendim është goditje ndaj Puigdemont-it, i cili jeton në ekzil të vetimponuar në Belgjikë, sepse mund ta hapë rrugën që ai të ekstradohet në Spanjë, siç kanë kërkuar autoritetet spanjolle tash e gjashtë vjet, raporton agjencia “Reuters”.
Ai u largua nga Spanja më 2017 për t’iu shmangur ndjekjes penale pas shpalljes së pavarësisë së Katalonjës, veprim që e nxiti Madridin për ta marrë kontrollin e drejtpërdrejtë të rajonit të pasur.
Në vendimin e saj, gjykata me seli në Luksemburg e refuzoi apelin e Puigdemont-it dhe e mbështeti vendimin e Parlamentit Evropian për t’ia larguar imunitetin atij dhe dy euro-deputetët e tjerë separatistë, Toni Comin dhe Clara Ponsati.
“Parlamenti nuk mund të miratojë vendime për ta mbrojtur imunitetin që prodhon efekte të detyrueshme juridike në lidhje me autoritetet gjyqësore të Spanjës”- tha gjykata.
Puigdemont-i tha se ai dhe dy euro-deputetët e tjerë do të paraqesin apel në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian.
“Ne do t’i mbrojmë të drejtat tona themelore deri në fund”- tha ai.
Në janar, Gjykata Supreme e Spanjës i hodhi poshtë akuzat për ndarje të vendit ndaj Puigdemont-it pas një reforme të kodit penal, me ç’rast ky krim u hoq nga kodi.
Megjithatë, ai ende ballafaqohet me akuzat për mosbindje dhe përvetësim, të cilat bartin dënime me deri në tetë vite burgim.
Gjykatësi i Gjykatës Supreme të Spanjës, Pablo Llarena, tha se do të paraqesë tek autoritetet belge një kërkesë të re për ekstradimin e Puigdemontit që ai të ballafaqohet me proces gjyqësor, varësisht nga vendimet e gjykatave të BE-së.