Ish-ndihmësi: Netanyahu më tha të bëja një plan për ta shmangur përgjegjësinë për sulmin e 7 tetorit
Një ish-ndihmës i ngushtë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se menjëherë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, që e nxiti fillimin e luftës dyvjeçare në Gaza, udhëheqësi izraelit e udhëzoi që të zbulonte një plan se si kryeministri do t’i shmangej përgjegjësisë për shkeljet në fushën e sigurisë.
Ish-zëdhënësi i Netanyahut, Eli Feldstein, i cili ballafaqohet me gjyq nën dyshimin për rrjedhje të të dhënave të klasifikuara te gazetarët, e bëri akuzën e rëndë gjatë një interviste ekskluzive me televizionin izraelit “Kan” të hënën në mbrëmje, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Kritikët e kanë akuzuar vazhdimisht Netanyahun se po refuzon që ta pranojë fajin për sulmin më vdekjeprurës në historinë e Izraelit. Megjithatë, pak gjëra dihen për sjelljen e Netanyahut në ditët menjëherë pas sulmit, përderisa kryeministri vazhdimisht i ka bërë rezistencë një hetimi të pavarur shtetëror.
Feldstein-i tha se “detyra e parë” që e mori nga Netanyahu pas 7 tetorit të vitit 2023 ishte që t’i shtypte thirrjet për llogaridhënie.
“Ai [Netanyahu] më pyeti: “Për çka po flasin në lajme? A po flasin ende për përgjegjësinë?” Ai deshi që unë të mendoja diçka që do të mund të thuhej e që do ta mënjanonte stuhinë mediave që po e rrethonte pyetjen nëse kryeministri e kishte marrë përgjegjësinë apo jo” – shtoi ai.
Ish-ndihmësi më tej tha se kryeministri dukej “në panik”, kur ia kishte bërë kërkesën Feldstein-it dhe se më vonë njerëzit në rrethin e ngushtë të Netanyahut i kishin thënë që ta shmangte fjalën “përgjegjësi” në të gjitha deklaratat.
