Ish-drejtori i FBI-së Comey dorëzohet pas akuzës për rrezikimin e jetës së Trumpit
Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, u dorëzua para autoriteteve amerikane të mërkurën për t’u ballafaquar me akuzën se një fotografi që ai e kishte publikuar për një kohë të shkurtër në rrjete sociale paraqiti rrezik për jetën e presidentit Donald Trump.
Akuza e ka bazën në një postim në “Instagram” nga Comey, ku ndodhej një pamje e guaskave të detit në një plazh, të renditura në formën e numrave 86 dhe 47. Numri 86 përdoret për shprehjen “hiqe qafe” dhe prokurorët pretendojnë se kjo shifër e inkurajon dhunën kundër Trumpit, i cili është presidenti i 47-të i ShBA-së, raporton televizioni BBC.
Comey mohon se ka bërë ndonjë shkelje, duke thënë se nuk e dinte kuptimin e dy numrave, duke e akuzuar prokurorinë për motive politike.
Kjo është hera e dytë që Departamenti i Drejtësisë ngre akuza kundër Comey-t, kritikues i Trumpit për një kohë të gjatë.
Avokati i tij, Patrick Fitzgerlad, tha se ish-drejtori i FBI-së do ta kërkojë rrëzimin e akuzës mbi bazën e ndjekjes penale selektive dhe hakmarrëse, duke argumentuar se ai është vënë në shënjestër për shkak se ka folur kundër Trumpit.
Gjykatësi Ëilliam Fitzpatrick i lexoi akuzat ndaj Comey-t, i cili bëri me kokë në shenjë pohuese, përderisa iu lexuan të drejtat, ndërsa më vonë u buzëqeshi anëtarëve të familjes, kur po largohej nga salla e gjykatës, raportoi televizioni “CBS News”.
Gjykatësi i hodhi poshtë përpjekjet e Departamentit të Drejtësisë për të vendosur kushte për lirimin e Comey-t, duke thënë se ato nuk janë të nevojshme.
Prokurorët e akuzojnë Comey-n se me vetëdije dhe me vullnet ka bërë kërcënim për t’ia marrë jetën presidentit dhe për t’i shkaktuar lëndim trupor dhe se me vetëdije ka transmetuar kërcënim për vrasjen e Trumpit.
Secila akuzë bart dënim maksimal prej dhjetë vitesh burgim./Nacionale