Ish-ambasadorja e ShBA-së në OKB shkruan “jepuni fund” në predhën izraelite, kritikohet - NACIONALE

Ish-ambasadorja e ShBA-së në OKB shkruan “jepuni fund” në predhën izraelite, kritikohet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-ambasadorja e ShBA-së në Kombe të Bashkuara dhe ish-kandidatja për t’u nominuar nga Partia Republikane si përfaqësuese në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, Nikki Haley, gjatë një vizite në veri të Izraelit, afër kufirit me Libanin, bëri një veprim që nxiti kritika.

Në një stacion të artilerisë, ajo mori një marker dhe në një predhë shkroi “jepuni fund”. Veprimi ishte pjesë e një udhëtimi disaditor të saj në Izrael, gjatë të cilit është takuar me familjet e disa prej të vrarëve dhe pengjeve izraelite, raporton gazeta “The Washington Post”.

Haley e vizitoi edhe zonën e sulmuar nga Hamasi më 7 tetor, përfshirë vendin ku ishte duke u mbajtur festivali muzikor “Nova”, në jug të Izraelit, ku kishte të vrarë e të rrëmbyer.

Haley dhe përfaqësues të fushatës së saj tashmë jofunksionale nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të gazetës për koment.

Në një intervistë me gazetën izraelite, “Israel Hayom”, që drejtohet nga donatorja e madhe e republikanëve, Miriam Adelson, Haley i dha jehonë porosisë që e shkroi në predhë.

“Ne e dimë se për aq gjatë sa ekziston Hamasi, kjo mund të ndodhë përsëri dhe për këtë arsye unë kam thënë që nga fillimi, ju duhet t’u jepni fund atyre – një herë e mirë” – tha ajo.

Vizita e Haleyt vjen në kohën kur udhëheqësit izraelit po ballafaqohen me shpeshtim të kritikave se nuk po bëjnë mjaftueshëm për t’i mbrojtur civilët në Gaza dhe se mund të kenë kryer krime lufte gjatë operacioneve luftarake kundër Hamasit.

Haley fillimisht ishte rivale e ish-presidentit Donald Trump në garën brenda Partisë Republikane për t’u bërë e nominuar e partisë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, por më vonë u tërhoq nga gara. Para disa ditëve, ajo tha se kishte plan për ta votuar Trumpin.

Pas veprimit të Haleyt në Izrael, nisën shpejt kritikat. Të mërkurën, zyra e organizatës “Amnesty International” në ShBA i shpërndau fotografitë e saj dhe ndau një porosi se si zonat e konfliktit “nuk janë vend për marifete”.

Këshilli për Marrëdhënie Amerikano-Islame e dënoi shkrimin e një “porosie të dhunshme” dy ditë pasi një sulm ajror izraelit në një kamp me tenda në Rafah la të vrarë të paktën 45 persona.

Lajme të ngjashme