Irani zotohet për hakmarrje të fortë pas sulmit më të madh që nga revolucioni i 1979-s
Rojat Revolucionare të Iranit dhe nënpresidenti i parë i këtij shteti, Mohammad Mokhber, të enjten u zotuan për hakmarrje pas shpërthimeve që lanë gati 100 të vdekur në një ceremoni për shënimin e përvjetorit të vrasjes së ish-komandantit të lartë, Qassem Soleimani, i cili ishte eliminuar nga një dron amerikan më 2020 në Irak.
“Një hakmarrje shumë e fortë do t’u jepet atyre në duart e ushtarëve të Soleimanit”- tha nënpresidenti Mokhber para gazetarëve në një spital, ku po merrnin trajtim disa nga të lënduarit e sulmit më të përgjakshëm që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, raporton agjencia “Reuters”.
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet. Një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Joe Biden të ShBA-së tha se shpërthimet dukej se paraqisnin “një sulm terrorist” të llojit që është kryer në të kaluarën nga militantë të ISIS-it.
Në një deklaratë, Rojat Revolucionare të Iranit e përshkruan sulmin e së mërkurës si akt frikacak “me qëllim të krijimit të pasigurisë e kërkimit të hakmarrjes kundër dashurisë e përkushtimit të thellë të kombit ndaj Republikës Islamike”.
Më tej, Rojat Revolucionare thanë se ky sulm “e fuqizon vendosmërinë për t’i ndëshkuar autorët në mënyrë vendimtare e drejtësisht”.
Komandanti i Rojave Revolucionare në qytetin juglindor të Iranit, Kerman, i mohoi raportimet e mediave shtetërore për një rast me të shtëna armësh në këtë qytet të enjten.
Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, e dënoi atë që e quajti “krim të neveritshëm e çnjerëzor”, ndërsa lideri suprem, Ayatollah Khamenei, u zotua për hakmarrje për dy shpërthimet vdekjeprurëse.