Irani s’ia lavdëron dronin “Akinci” Turqisë për gjetjen e helikopterit të Raisit
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit të mërkurën e minimizuan rolin që luajti një dron turk për gjetjen e vendit të rrëzimit të helikopterit me të cilin po udhëtonte presidenti iranian, Ebrahim Raisi, duke e vënë në pah performancën e dronëve iranianë.
Të hënën, agjencia turke e lajmeve, “Anadolu”, raportoi se një dron turk i tipit “Akinci” kishte identifikuar “një burim të nxehtësisë që dyshohej se ishte mbetje e helikopterit që po e bartte presidentin Raisi” dhe i ndau koordinatat e saj me autoritetet iraniane, raporton agjencia “Reuters”.
“Edhe pse Turqia dërgoi një dron të pajisur me kamera termale dhe për pamje natën, droni dështoi që në mënyrë të saktë ta lokalizonte vendin e rrëzimit për shkak të mungesës së pajisjeve për zbulim dhe pikave të kontrollit nën re” – thuhet në një deklaratë të ushtrisë iraniane, duke iu referuar kushteve të vështira të motit, që besohet se kanë qenë shkaktare të rrëzimit të helikopterit.
Irani dhe Turqia kanë arsenal të madh të dronëve dhe janë përqendruar te shfaqja e efikasitetit të tyre për tregjet e huaja. Fuqitë perëndimore e kanë akuzuar Iranin për furnizim të Rusisë me dronë për luftën e saj në Ukrainë.
Disa burime i kanë thënë agjencisë “Reuters” se dronë iranianë po përdoren edhe nga ushtria sudaneze në luftën e saj kundër Forcave të Reagimit të Shpejtë. Teherani i ka mohuar këto pretendime.
Ushtria iraniane tha se nuk ishte në gjendje që menjëherë t’i përdorte dronët e vet të avancuar, të pajisur me radar me vrima sintetike, pasi ata ndodheshin në pjesën veriore të Oqeanit Indian në atë kohë.