Irani paralajmëron kundërpërgjigje të vendosur ndaj “agresionit të mëtejmë” nga Izraeli
Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka lëshuar një deklaratë për “imponimin e ndërprerjes së luftës” ndaj Izraelit” dhe ndaj “mbështetësve terroristë” të tij.
Organi i lartë i sigurisë tha se “çfarëdo agresioni i mëtejmë do të ballafaqohet me një kundërpërgjigje vendimtare, të vendosur dhe në kohën e duhur nga Irani”, raporton televizioni BBC.
Në këtë deklaratë, Këshilli e çmon popullin iranian për “vetëdijen, qëndrueshmërinë dhe unitetin” e tij, duke thënë se “mposhtja e armikut” ndodhi falë “vendosmërisë së prerë, durimit strategjik dhe refuzimit për ta pranuar poshtërimin ose kompromisin e njëanshëm”.
Më tutje, në deklaratë lavdërohet edhe ushtria iraniane për “goditje vendimtare dhe të llogaritur” gjatë hakmarrjes për sulmet ndaj Iranit.
Ndërkohë, komandanti i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, ka thënë se forcat e tij do të “kundërpërgjigjen me forcë” ndaj asaj që e quajti “shkelje të rëndë” të armëpushimit nga Irani.