Irani kryen një valë arrestimesh e ekzekutimesh pas konfliktit me Izraelin - NACIONALE

Irani kryen një valë arrestimesh e ekzekutimesh pas konfliktit me Izraelin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Autoritetet iraniane kanë kryer një valë arrestimesh dhe disa ekzekutime të njerëzve të dyshuar për lidhje me agjencitë izraelite të inteligjencës, pas luftës së shkurtër me Izraelin.

Këto veprime vijnë pas atij që zyrtarët e përshkruajnë si infiltrim të pashembullt të shërbimeve iraniane të sigurisë nga agjentët izraelitë, raporton televizioni BBC.

Autoritetet dyshojnë se të dhënat që i janë ofruar Izraelit patën rol në vargun e vrasjeve të profilit të lartë gjatë konfliktit. Këtu u përfshi vrasja e komandantëve të lartë të Rojave Revolucionare dhe shkencëtarëve bërthamorë, për ç’gjë Irani e fajëson agjencinë izraelite të inteligjencës, Mossad, që besohet se ka punuar brenda Iranit.

Të tronditura nga shkalla dhe saktësia e këtyre vrasjeve, autoritetet kanë vënë në shënjestër këdo që është dyshuar se ka punuar me inteligjencën e huaj, duke thënë se një gjë e tillë është për hir të sigurisë kombëtare.

Megjithatë, shumë të tjerë kanë frikë se kjo është edhe një mënyrë për t’i shuar pakënaqësitë dhe për ta ashpërsuar kontrollin mbi popullsinë.

Gjatë konfliktit 12-ditor, autoritetet iraniane ekzekutuan tre persona të akuzuar se kishin spiunuar për Izraelin. Të mërkurën, vetëm një ditë pas fillimit të armëpushimit, tre individë të tjerë u ekzekutuan nën akuza të ngjashme.

Zyrtarët e kanë njoftuar arrestimin e qindra të dyshuarve në mbarë vendin nën akuzat për spiunazh. Televizioni shtetëror i ka transmetuar gjoja rrëfimet e disa të ndaluarve, të cilët gjoja e pranonin bashkëpunimin me inteligjencën izraelite.

Grupet për të drejtat e njeriut dhe aktivistët kanë shprehur frikë për zhvillimet e fundit, duke e përmendur praktikën e vjetër të Iranit për të nxjerrë rrëfime me forcë dhe për të kryer gjykime të padrejta. Ka shqetësim se mund të kryhen ekzekutime të reja.

Ministria e Inteligjencës e Iranit pretendon se është përfshirë në një “betejë të pamëshirshme” kundër atyre që i quan rrjete perëndimore dhe izraelite të inteligjencës – përfshirë CIA-n amerikane, Mossad-in izraelit dhe MI6-ën britanike./Nacionale

Lajme të ngjashme