Irani kërcënon se do t’i godasë shtetet e Gjirit, nëse ShBA-ja nis sulme të reja - NACIONALE

Irani kërcënon se do t’i godasë shtetet e Gjirit, nëse ShBA-ja nis sulme të reja

1 orë më parë

nga NACIONALE

Irani i ka paralajmëruar shtetet e Gjirit Persik se çfarëdo sulmi i ri i forcave amerikane ndaj territorit të tij do të nxiste hakmarrje kundër infrastrukturës kritike energjetike në mbarë rajonin, sipas pesë burimeve, përderisa Teherani po synon që ta rrisë koston e veprimeve ushtarake duke i kërcënuar aleatët më të ngushtë rajonalë të Uashingtonit.

Ky paralajmërim u përçua përmes disa kontakteve diplomatike të nivelit të lartë, pasi presidenti Donald Trump kërcënoi më 28 korrik se do t’i sulmonte infrastrukturën dhe rrjetin energjetik të Iranit, thanë burimet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Dy zyrtarë të lartë iranianë, dy burime në Gjirin Persik dhe një diplomat i lartë rajonal me njohuri rreth diskutimeve thanë se ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, ka biseduar me homologët e tij nga Arabia Saudite, Turqia dhe Katari si dhe me komandantin e ushtrisë pakistaneze. Të gjithë folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Araqchi u bëri thirrje aleatëve të Uashingtonit në Gjirin Persik që ta përdorin ndikimin e tyre te Trumpi për ta dekurajuar atë nga nisja e sulmeve të reja, tha diplomati i lartë, duke paralajmëruar se çfarëdo sulmi ndaj iranit do të nxiste hakmarrje kundër aseteve amerikane dhe objekteve të energjisë në mbarë Gjirin Persik.

Diplomati tha se porosia e tij ishte konsistente në secilën bisedë. “Ne jemi të gatshëm që të hakmerremi, por gjetja e një zgjidhjeje paqësore është mënyra më e mirë për t’i shmangur përshkallëzimin dhe shkatërrimin më të gjerë në mbarë rajonin.”

“Paralajmërimi iranian ishte pa mëdyshje: nëse Amerika e vë në shënjestër infrastrukturën e Iranit, ky shtet do të hakmerret duke i sulmuar objektet energjetike të Gjirit dhe caqe të tjera rajonale” – shtoi diplomati.

Diplomati i lartë dhe burimet në Gjirin Persik thanë se princi i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, më pas bisedoi me Trumpin, duke i bërë thirrje që t’i shtyjë veprimet ushtarake, të rikthehet në bisedime, të sigurojë një armëpushim dhe të ndjekë një zgjidhje diplomatike./Nacionale

Lajme të ngjashme