Irani kërcënon përsëri për vrasjet në Siri: Armiqtë do të pendohen
Irani të shtunën përsëri kërcënoi me hakmarrje për vrasjen e shtatë pjesëtarëve të Rojave Revolucionare nga një sulm në Damask. Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Mohammad Bagheri, tha se armiqtë e vendit të tij do të pendohen për këto vrasje, raporton agjencia AFP.
Teherani është zotuar për hakmarrje për sulmin ajror të së hënës në kryeqytetin sirian, për të cilin e ka fajësuar Izraelin, shtet që nuk e ka komentuar rastin, raporton gazeta “The Guardian”.
Kundërpërgjigjja e Iranit “do të kryhet në kohën e duhur, me saktësinë dhe planifikimin e nevojshëm dhe me dëm maksimal ndaj armikut në mënyrë që ata të pendohen për veprimin e tyre” – tha të shtunën komandanti i ushtrisë iraniane, sipas agjencisë franceze të lajmeve, AFP.
Ai foli në një ceremoni të mbajtur në qytetin qendror të Iranit, Isfahan, për vdekjen e Mohammad Reza Zahedi-t, njëri nga dy gjeneralët e brigadave të Forcave Kuds që u vranë në Siri.
Agjencia AFP raporton se të shtunën, turma e mbledhur në Isfahan brohoriti “poshtë Izraeli” dhe “poshtë Shtetet e Bashkuara”.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë se Izraeli “do të ndëshkohet” për vrasjen e oficerëve iranianë në Siri.
Të premten, komandanti i Rojave Revolucionare, Gjeneral Hossein Salami, paralajmëroi se Izraeli “nuk mund t’u ikë pasojave” të sulmit në Damask.