Irani është i gatshëm t’i përgjigjet çfarëdo sulmi të ri, thotë Khamenei
Irani është i gatshëm që t’i kundërpërgjigjet çfarëdo sulmi të ri ushtarak, tha të mërkurën lideri suprem i këtij shteti, Ayatollah Ali Khamenei, duke shtuar se Teherani është në gjendje që t’u japë një goditje edhe më të madhe armiqve se ajo që ua dha gjatë luftës 12-ditore me Izraelin.
“Fakti që kombi unë është i gatshëm për t’u ballafaquar me fuqinë e Shteteve të Bashkuara dhe qenin e saj të lidhur me litar, regjimi zionist (Izraeli), është shumë për t’u çmuar” – tha Khamenei në komentet e transmetuara në televizionin shtetëror, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kryen sulme ndaj qendrave bërthamore të Iranit muajin e kaluar, duke thënë se ato ishin pjesë e një programi me të cilin synohej zhvillimi i armëve bërthamore. Teherani thotë se programin e vet bërthamor e ka vetëm për qëllime civile.
“Baza e sulmuar nga Irani ishte një bazë rajonale amerikane tepër e ndjeshme” – tha Khamenei duke iu referuar një sulmi iranian me raketa ndaj bazës “Al Udeid” në Katar, duke shtuar se “një goditje edhe më e madhe do të mund t’u shkaktohej ShBA-së dhe të tjerëve”.
Irani është nën presion për t’i vazhduar bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara, pasi Uashingtoni dhe tri shtete të rëndësishme evropiane janë pajtuar që ta caktojnë fundin e gushtit si afat për arritjen e një marrëveshjeje.
Nëse deri atëherë nuk arrihet progres, ministri i Jashtëm i Francës ka paralajmëruar se do të zbatohen sanksione ndërkombëtare përmes një mekanizmi të Kombeve të Bashkuara.
“Në fushat diplomatike dhe ushtarake, kurdo që ne hyjmë në skenë, ne e bëjmë këtë me duart tona plot e jo nga një pozicion i dobësisë” – tha Khamenei.
Ai iu bëri thirrje diplomatëve që t’u kushtonin vëmendje “udhëzimeve” dhe në mënyrë të fuqishme ta vazhdonin punën e tyre, pa hyrë në hollësi.
Kuvendi i Iranit publikoi të mërkurën një deklaratë në të cilën tha se vendi nuk duhet t’i rinisë bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara pa u plotësuar fillimisht parakushtet./Nacionale