Irani e var në litar publikisht të dënuarin për vrasjen e tre fëmijëve e një nëne
Një burrë u ekzekutua publikisht në jug të Iranit të martën, pasi ishte shpallur fajtor për vrasjen e katër njerëzve, raportuan mediat shtetërore.
“Njëri nga autorët e vrasjes brutale të katër anëtarëve të një familjeje në Beyram të provincës Fars u var në publik të martën” – tha portali i sistemit gjyqësor iranian, “Mizan”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Autorët e vrasjeve dhe përdhunimeve dënohen me vdekje në Iran, shtet që renditet i dyti në botë, pas Kinës, sa i përket numrit të të dënuarve që i ekzekuton, sipas disa grupeve për të drejtat e njeriut, përfshirë organizatën “Amnesty International”.
Autoritetet iraniane zakonisht i kryejnë ekzekutimet publike të të dënuarve përmes varjes në litar herët në mëngjes.
“I akuzuari dhe bashkëshortja e tij vranë një nënë dhe tre fëmijë gjatë një plaçkitjeje në tetorin e vitit 2024” – tha portali “Mizan”.
Çifti ishte dënuar me vdekje në shkurt të këtij viti. Vendimi ishte konfirmuar më pas edhe nga Gjykata Supreme në prill, sipas mediave iraniane.
Portali “Mizan” raportoi se ekzekutimi i gruas së dënuar me vdekje – bashkëshortja e të ekzekutuarit publikisht – do të bëhet në burg, pa dhënë ndonjë datë./Nacionale