Irani e thërret në takim ambasadorin e Turqisë pas paralajmërimit të Ankarasë rreth Sirisë - NACIONALE

Irani e thërret në takim ambasadorin e Turqisë pas paralajmërimit të Ankarasë rreth Sirisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministria e Jashtme e Iranit e thirri në takim ambasadorin turk, raportoi televizioni shtetëror të martën, pasi ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, e paralajmëroi Teheranin kundër minimit të stabilitetit të Sirisë.

Ministria e Jashtme e Iranit publikoi një deklaratë në të cilën thuhet se një takim u mbajt të hënën mes ambasadorit të Turqisë në Teheran, Hicabi Kirlangic, dhe Mahmoud Heydari, drejtor i përgjithshëm për Mesdheun dhe Evropën Lindore në Ministrinë e Jashtme të Iranit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Interesat e përbashkëta mes dy shteteve dhe ndjeshmëria e kushteve rajonale e kërkojnë shmangien e komenteve të gabuara dhe analizave joreale që do të mund të çonin në dallime dhe tensione në marrëdhëniet tona dypalëshe” – tha Heydari.

Javën e kaluar, kryediplomati turk dha një intervistë në televizionin “Al Jazeera”, në të cilën tha se politika e jashtme iraniane që mbështetet në grupe militante është “e rrezikshme” dhe duhet të ndryshojë, përcjell gazeta "Nacionale".

“Nëse po mundoheni të shkaktoni ankth në një vend të tretë, edhe shtetet e tjera mund të ju pengojnë duke mbështetur grupe në vendin tuaj” – shtoi ministri Fidan.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha më herët të hënën se Teherani dhe Ankaraja nuk ishin pajtuar rreth disa çështjeve.

“Ne i vlerësojmë lart marrëdhëniet tona dypalëshe me Turqinë. Fatkeqësisht, fjalët e dëgjuara në mënyrë të përsëritur (nga Turqia) ishin shumë jokonstruktive dhe ishte e nevojshme që Irani ta deklaronte në mënyrë të vendosur e të qartë pozicionin e vet në atë aspekt” – tha Esmaeil Baghaei.

“Ndoshta është e nevojshme që miqtë tanë turq të mendojnë më shumë për politikën e regjimit zionist (Izraelit) në Siri dhe në rajon” – shtoi ai./Nacionale

Lajme të ngjashme