Irani e paralajmëron Trump “kumarxhiun”: Ti mund ta nisësh këtë luftë, por ne do ta përfundojmë
Irani tha të hënën se sulmi amerikan ndaj qendrave të tij bërthamore e zgjeron gamën e caqeve legjitime për forcat e armatosura iraniane, ndërsa presidentin e ShBA-së, Donald Trump, e quajti “kumarxhi” për shkak se u bë pjesë e fushatës ushtarake izraelite kundër shtetit që veten e quan Republikë Islamike.
Ebrahim Zolfaqari, zëdhënës i selisë qendrore ushtarake “Khatam al-Anbiya” të Iranit, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të presin pasoja të rënda për veprimet e tyre, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Z. Trump, kumarxhiu, ti mund ta nisësh këtë luftë, por ne do të jemi ata që do t’i japim fund asaj” – tha Zolfaqari në gjuhën angleze në fund të një video-deklarate.
Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme ajrore, përderisa bota po e pret kundërpërgjigjen e Teheranit ndaj sulmit amerikan kundër qendrave bërthamore në fundjavë, për të cilin Trumpi sugjeroi se mund të çojë në rrëzimin e qeverisë iraniane.
Pamjet satelitore komerciale dhanë shenjë se sulmi i së shtunës ndaj qendrës bërthamore “Fordow” të Iranit, e cila ndodhet thellë nën tokë, e kishte dëmtuar rëndë ose e kishte shkatërruar atë dhe centrifugat për pasurimin e uraniumit që ndodheshin në të, por statusi i qendrës mbetej i pakonfirmuar, sipas ekspertëve.
Në shkrimin më të ri në rrjete sociale në lidhje me sulmet amerikane, Trumpi shkroi: “Dëm monumental u bë ndaj të gjitha qendrave bërthamore në Iran. Dëmi më i madh ndodhi thellë nën nivelin e tokës. Syri i demit!!!”
Presidenti amerikan më herët i bëri thirrje Iranit që të hiqte dorë nga hakmarrja dhe tha se qeveria iraniane “tani duhet të bëjë paqe” ose sulmet e ardhshme do të jenë “shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta”, duke e nxitur shqetësimin global për përshkallëzimin e mëtejmë të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Një burim i lartë iranian i tha agjencisë “Reuters” se shumica e uraniumit të pasuruar në shkallë të lartë në “Fordow” ishte vendosur diku tjetër para sulmit. Agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte menjëherë këtë pretendim./Nacionale