Irani e konfirmon arrestimin e gazetares italiane, Cecilia Sala
Irani e konfirmoi arrestimin e gazetares italiane, Cecilia Sala, për “shkelje të ligjeve të Republikës Islamike”, raportoi të hënën agjencia zyrtare iraniane e lajmeve, IRNA.
Sala, 29 vjeçe, e cila punon për gazetën “Il Foglio” dhe për kompaninë e podcast-eve “Chora Media”, u ndalua në Teheran më 19 dhjetor, sipas Ministrisë së Jashtme të Italisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, të shtunën refuzoi të tregonte nëse rasti mund të jetë i lidhur me arrestimin e një iraniani në Itali këtë muaj me kërkesën e Shteteve të Bashkuara.
Rasti i gazetares italiane që po mbahet në Iran është “i ndërlikuar”, por Roma shpreson që ta kthejë Salan shpejt në atdhe, tha kryediplomati Tajani.
“Shtetasja italiane, Cecilia Sala, udhëtoi në Iran më 13 dhjetor me një vizë gazetarësh dhe u ndalua më 19 dhjetor... për shkelje të ligjeve të Republikës Islamike” – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Kulturës të Iranit, sipas agjencisë IRNA.
Sala ka qenë në kontakt përmes telefonit me familjen e saj dhe ambasada italiane në Teheran është njoftuar për ndalimin e saj, thuhet më tej në deklaratë.
Viteve të fundit, forcat iraniane të sigurisë kanë arrestuar dhjetëra të huaj e persona me shtetësi të dyfishtë, shumica nën akuza të lidhura me spiunimin dhe sigurinë.
Disa grupe për të drejtat e njeriut e akuzojnë Iranin se mundohet që të nxjerrë koncesione nga shtetet e tjera përmes arrestimeve të tilla. Irani mohon se burgos të huaj për të siguruar leverdi diplomatike./Nacionale