Irani e ekzekuton të dënuarin për spiunim për Izraelin, Mohsen Langarneshin
Një burrë iranian, i shpallur fajtor dhe i dënuar me vdekje për spiunim dhe bashkëpunim në fushën e inteligjencës me Izraelin, u ekzekutua të mërkurën, raportuan mediat shtetërore.
I përfshirë në një luftë të gjatë në hije me Izraelin, Irani ka dënuar me vdekje shumë persona që i ka akuzuar për lidhje me shërbimin izraelit të inteligjencës, Mossad, dhe për lehtësimin e operacioneve të kësaj agjencie në Iran, me theks të veçantë vrasjet dhe sabotimet me qëllim të minimit të programit bërthamor, raporton gazeta “The Guardian”, duke e cituar agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Sipas mediumit iranian të sistemit gjyqësor, “Mizan”, i pandehuri i identifikuar si Mohsen Langarneshin ishte akuzuar për përfshirje në disa raste, përfshirë vrasjen e një koloneli të Gardës Revolucionare në vitin 2022.
“Gjatë dy viteve të tij të spiunimit (…), ai ishte përgjegjës për veprime të rëndësishme, përfshirë mbështetjen e operacioneve terroriste dhe duke qenë i pranishëm në vendin e vrasjes së Sayad Khodai-it”, raportuan mediat shtetërore.
Më tej, në raportime thuhet se i pandehuri kishte ofruar përkrahje operacionale për një sulm ndaj një qendre industrial në Isfahan, e cila ishte e lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes.
Mediat shtetërore raportuan se i dënuari ishte rrëfyer për akuzat. Agjencia “Reuters” nuk arriti që të kontaktonte me një përfaqësues të tij për të marrë ndonjë koment.