Irani do t’i paraqesë ShBA-së një kundërpropozim në bisedimet bërthamore
Irani së shpejti do të dorëzojë një kundërpropozim për marrëveshje bërthamore te Shtetet e Bashkuara përmes Omanit, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Teheran, Esmaeil Baghaei, si kundërpërgjigje ndaj një oferte të Uashingtonit që Irani e cilësoi “të papranueshme”.
Zëdhënësi iranian gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta detyrë Izraelin që të çarmatoset nga armët bërthamore, shtet që e ka armik dhe që e akuzon se po përpiqet t’i prishë bisedimet bërthamore me ShBA-në, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Propozimi i ShBA-së nuk është i pranueshëm për ne. Ai nuk ishte rezultati i rundeve të mëparshme të bisedimeve. Ne do t’ia paraqesim propozimin tonë palës tjetër përmes Omanit, pasi ai të jetë finalizuar. Ky propozim është i arsyeshëm, logjik dhe i baraspeshuar” – tha Baghaei.
“Ne duket të sigurohemi para heqjes së sanksioneve se Irani do të përfitojë ekonomikisht në mënyrë efikase dhe se marrëdhëniet e tij bankare e tregtare me shtetet e tjera do t’i kthehen normales” – shtoi ai.
Agjencia “Reuters” më parë ka raportuar se Irani ishte duke hartuar një përgjigje negative ndaj propozimit amerikan, i cili ishte paraqitur në fund të majit. Një diplomat iranian tha se oferta e Shteteve të Bashkuara nuk i zgjidhte dallimet rreth pasurimit të uraniumit në territorin e Iranit, dërgimin e tërë rezervave të uraniumit të pasuruar në shkallë të lartë jashtë Iranit dhe hapat e besueshëm për heqjen e sanksioneve amerikane.
Baghaei tha se ende nuk kishte ndonjë hollësi rreth kohës së rundit të gjashtë të bisedimeve bërthamore mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Javën e kaluar, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se propozimi i Shteteve të Bashkuara është kundër interesave të vendit të tij dhe u zotua për vazhdimin e pasurimit të uraniumit në territorin iranian./Nacionale