Irani do të kundërpërgjigjet “në kohën e duhur” për vrasjen e Haniyeh-ut - NACIONALE

Irani do të kundërpërgjigjet “në kohën e duhur” për vrasjen e Haniyeh-ut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Iranit, Baqeri Ali Bagheri Kani, ka thënë se vendi i tij do të kundërpërgjigjet për vrasjen e kreut të Hamasit, Ismail Haniyeh, në “kohën e duhur” dhe në mënyrën “e duhur”, pas një dite me diplomaci intensive në Lindje të Mesme.

Komentet e tij erdhën gjatë një takimi urgjent të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, grup shtetesh me shumicë myslimane, të cilat u mblodhën në Arabi Saudite për të diskutuar rreth kundërpërgjigjes së Iranit për vrasjen e figurës së lartë të Hamasit.

Shtetet e Bashkuara thanë se shpresonin që vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik do ta paralajmëronin Iranin kundër “hapave për eskalimin e konfliktit”.

Tensionet në Lindje të Mesme janë rritur që nga vrasja e Haniyeh-ut në Teheran javën e kaluar. Irani dhe aleatët e tij e kanë fajësuar Izraelin, edhe pse ky shtet nuk ka dhënë ndonjë koment, raporton televizioni BBC.

Organizata për Bashkëpunim Islamik u mblodh të mërkurën në qytetin Jeddah të Arabisë Saudite, me kërkesë të zyrtarëve iranianë e palestinezë.

Kryediplomati iranian në detyrë iu tha anëtarëve të kësaj organizate se “është e pritshme” që ata ta përkrahin kundërpërgjigjen e Iranit për vrasjen e drejtorit të byrosë politike të Hamasit.

Në një deklaratë të lëshuar më vonë nga Organizata për Bashkëpunim Islamik thuhet se blloku e mban Izraelin “plotësisht përgjegjës” për “sulmin e neveritshëm”, të cilin e përshkroi si “shkelje serioze” sovranitetit të Iranit.

Megjithatë, organizata nuk shprehu mbështetje për ndonjë veprim ushtarak të Iranit.

Në prill të këtij viti, Irani hodhi më shumë se 300 raketa e dronë drejt Izraelit, por gati të gjitha u rrëzuan. Ky veprim ishte hakmarrje për një sulm ndaj një kompleksi diplomatik iranian në Siri./Nacionale

Lajme të ngjashme