Inteligjenca izraelite thotë se zbuloi një komplot për vrasjen e ministrit Ben Gvir - NACIONALE

Inteligjenca izraelite thotë se zbuloi një komplot për vrasjen e ministrit Ben Gvir

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Agjencia izraelite e sigurisë, Shin Bet, thotë se ka zbuluar plane nga një grup palestinezësh e arabësh izraelitë për të kryer sulme terroriste në Izrael dhe në Bregun Perëndimor, përfshirë një sulm të planifikuar kundër ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir.

Shtatë izraelitë arabë dhe katër palestinezë nga Bregu Perëndimor u arrestuan për këtë komplot, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Sipas agjencisë Shin Bet, ky grup kishte planifikuar sulme kundër bazave të ushtrisë izraelite dhe zonave të tjera të ndjeshme, përfshirë aeroportin “Ben Gurion” dhe kompleksin qeveritar në Jerusalem.

Grupi gjithashtu planifikonte që të kryente një sulm në vendbanimin Kiryat Arba të Bregut Perëndimor. “Brenda kësaj kornize, ishte madje edhe një qëllim për ta vrarë ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, përmes sigurimit të një rakete – granatë me qëllim të kryerjes së sulmit” – tha agjencia Shin Bet, duke shtuar se grupi gjithashtu synonte që të rrëmbente ushtarë izraelitë.

Sipas kësaj agjencie, grupi planifikonte që të merrte me qira një copë toke në Rahat, në jug të Izraelit, ose një zonë në Bregun Perëndimor për të ndërtuar një fabrikë me një kompleks nëntokësor ku ata do të prodhonin armë dhe do të trajnoheshin.

Shin Bet-i tha se anëtarët e grupit kishin punuar për të kontaktuar me zyrtarë të Hamasit në Rripin e Gazës për të marrë fonde dhe udhëzime. Të paktën njëri nga të ndaluarit palestinezë ishte në kontakt me një operues të Hamasit në Gaza, i cili ofroi fonde për sulme në Izrael, vlerësoi agjencia e sigurisë.

Izraelitët arabë të dyshuar për këto plane janë identifikuar si: Bilal Nassara, udhëheqës i grupit, Wissam Siwati, Hamza Ghaith, Saud Abu Laban, Sameh al-Obra, Yousef Abu Hawli dhe Ma’ale Iron.

Të dyshuarit palestinezë u identifikuan si: Akramn Ammer, përgjegjës për rekrutim, Muhammad Sabheh, Ahmed Atiq dhe Ahmed Saleh.

Aktakuzat kundër 10 prej të dyshuarve u dorëzuan të enjten në Gjykatën e Qarkut në Beersheba./Nacionale

Lajme të ngjashme