Inteligjenca holandeze konfirmon se Rusia ka dislokuar trupa të Koresë së Veriut për luftë - NACIONALE

Inteligjenca holandeze konfirmon se Rusia ka dislokuar trupa të Koresë së Veriut për luftë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Inteligjenca holandeze ka konfirmuar se Rusia ka zhvendosur të paktën 1.500 trupa të Koresë së Veriut për të luftuar në luftën e Ukrainës, tha të premten ministri i Mbrojtjes i Holandës, Ruben Brekelmans.

Moska nuk i ka mohuar pretendimet e mëhershme të Shteteve të Bashkuara se Koreja e Veriut kishte dërguar trupa në Rusi, lëvizje që Perëndimi po e paraqet si eskalim domethënës i luftës, raporton agjencia “Reuters”.

“Ne presim që trupat do të vendosen kryesisht në Kursk dhe do të përbëhen kryesisht nga njësite speciale nga ushtria e Koresë së Veriut” – tha ministri holandez, duke shtuar se dislokimi i parë është mënyrë për Rusinë që t’i testojë trupat dhe ta matë reagimin ndërkombëtar.

Kursku është qytet rus afër kufirit me Ukrainën, ku forcat ruse nisën një operacion domethënës matanë kufirit në gusht të këtij viti.

Duke folur në mbyllje të samitit BRICS në qytetin Kazan të enjten, presidenti rus, Vladimir Putin, e akuzoi Perëndimin për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë dhe tha se vendet perëndimore “po jetojnë në një iluzion”, nëse mendojnë se mund t’i shkaktojnë humbje strategjike Rusisë, raporton gazeta “The Guardian”.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë parë dëshmi që Koreja e Veriut kishte dërguar tre mijë trupa në Rusi për dislokim të mundshëm në Ukrainë, lëvizje që do të mund të shënonte sfidë thelbësore për Ukrainën për shkak të mungesës së fuqisë njerëzore.

Kur u pyet nga një reporter rreth pamjeve satelitore ku shfaqen lëvizjet e trupave të Koresë së Veriut, Putini tha: “Pamjet janë gjë serioze. Nëse ka pamje, atëherë ato pasqyrojnë diçka.”

Lajme të ngjashme