Inteligjenca evropiane beson se Rusia do ta furnizojë Iranin me dronë, thotë një zyrtar
Agjencitë i inteligjencës në Evropë besojnë se Rusia është në fazat përfundimtare të përgatitjeve për ta furnizuar Iranin me dronë që do t’i përdorte në luftën kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, sipas një zyrtari të lartë evropian.
Rusia tashmë ka ndarë të dhëna të inteligjencës me Teheranin për ta ndihmuar që t’i shënjestrojë forcat amerikane në rajon, tha ky zyrtar, por dërgesa në pritje e dronëve të ngarkuar me lëndë shpërthyese do ta shënonte dëshminë e parë të mbështetjes vdekjeprurëse që nga fillimi i luftës, raporton gazeta “The Guardian”.
Zyrtari evropian, i cili foli në kushte anonimiteti, refuzoi që të ofronte hollësi rreth nivelit të dërgesave, por konfirmoi një artikull të gazetës “The Financial Times” ku thuhet se “raportet e inteligjencës perëndimore” kanë zbuluar se Rusia ishte afër përfundimit të një dërgese në faza me dronë, ilaçe dhe ushqim në Iran.
Zyrtarë iranianë e rus filluan që t’i diskutonin në mënyrë sekrete dërgesat e dronëve disa ditë pasi Izraeli e Shtetet e Bashkuara e sulmuan Teheranin në fund të shkurtit, sipas këtij mediumi, i cili citoi zyrtarë me njohuri rreth të dhënave të inteligjencës. Gazata tha se dërgesat e dronëve mund të kompletohen nga mesi i javës së ardhshme.
Duke iu përgjigjur pretendimit se Moska do të dërgojë dronë në Iran, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, citohet të ketë thënë: “Ka shumë lajme të rreme që po qarkullojnë tash për tash. Një gjë është e vërtetë – ne jemi duke e vazhduar dialogun tonë me udhëheqjen iraniane.”
Rusia dhe Irani vitin e kaluar nënshkruan një marrëveshje për partneritet strategjik dhe Moska ka dërguar më shumë se 13 tonë ilaçe në Iran përmes Azerbajxhanit.
Në një takim të ministrave të jashtëm të vendeve të grupit G7 të premten në Francë, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, e akuzoi Rusinë se e ka ndihmuar Iranin për t’i identifikuar shënjestrat e mundshme të sulmeve, duke thënë se presidenti Vladimir Putin po shpreson që ta përdorë luftën në Iran si mjet shpërqendrimi nga sulmi i tij ndaj Ukrainës.
Ministrja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, tha se është “thellësisht e shqetësuar për lidhjet mes Rusisë dhe Iranit që kanë qenë të hershme në aspektin e kapaciteteve të shkëmbyera”, përfshirë dronët./Nacionale