Inteligjenca e jashtme ruse thotë se Zelensky bëri hapa “të çmendur” me sulmin në Kursk - NACIONALE

Inteligjenca e jashtme ruse thotë se Zelensky bëri hapa “të çmendur” me sulmin në Kursk

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Të martën, shërbimet ruse për inteligjencë të jashtme e akuzuan presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për ndërmarrjen e hapave “të çmendur” që rrezikojnë për ta eskaluar luftën shumë më larg përtej vendit të tij, sipas një raporti të shërbimit shtetëror të lajmeve në Rusi, RIA.

Reagimi i inteligjencës ruse erdhi në kohën kur komandanti i ushtrisë ukrainase tha se forcat e tij tani kanë nën kontroll një mijë kilometra katrorë të rajonit Kursk në Rusi, raporton agjencia “Associated Press”, përcjell gazeta “The Guardian”.

Gjenerali Oleksandr Syrskyi e dha këtë deklaratë në një video të publikuar të hënën në kanalin e Zelenskyt në rrjetin “Telegram”. Në video, ai dëgjohet duke e njoftuar presidentin për situatën në vijën e frontit.

“Trupat janë duke i përmbushur detyrat e tyre. Luftimet vazhdojnë në të vërtetë përgjatë tërë vijës së frontit. Situata është nën kontroll” – tha Syrskyi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, është zotuar për një “kundërpërgjigje të denjë” ndaj sulmit ukrainas në Kursk dhe i ka urdhëruar trupat që “ta shpërngulin armikun nga territoret tona”.

Në një takim me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, presidenti rus tha se qëllimet e sulmit ukrainas janë që të përmirësohet pozicioni i Kievit në bisedime të mundshme të paqes dhe të ngadalësohet përparimi i forcave ruse.

Në anën tjetër, Zelensky ka thënë se në shënjestër të sulmit në Kursk janë zona nga të cilat Rusia po niste sulme ndaj territorit ukrainas.

Agjencia “Reuters” ka raportuar se forcat ukrainase në Kursk po mundohen që ta rrethojnë vendbanimin Sudzha, ku gazi natyror rus rrjedh drejt Ukrainës. Beteja të rëndësishme po zhvilloheshin edhe afër Korenevo-s, rreth 22 kilometra larg kufirit, dhe në fshatin Martynovka./Nacionale

Lajme të ngjashme