Inteligjenca daneze thotë se ka rrezik të lartë për sabotim ndaj forcave të armatosura
Drejtori i Shërbimit për Inteligjencë të Mbrojtjes në Danimarkë, Thomas Ahrenkiel, tha të premten se ekziston një rrezik i lartë për sabotim kundër forcave të armatosura daneze.
Fluturimet e dronëve të paidentifikuar javën e kaluar i nxitën autoritetet që të mbyllnin gjashtë aeroporte civile dhe ushtarake në vend.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, e ka cilësuar rastin si sulm hibrid ndaj vendit të saj, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shërbimi danez i inteligjencës vlerëson se Rusia tani për tani është duke zhvilluar një luftë hibride kundër shtetit të Evropës Veriore por edhe kundër Perëndimit, sipas zyrtarit të lartë të inteligjencës.
“Kjo do të thotë se Rusia është duke përdorur mjete ushtarake, përfshirë përdorimin e tyre në mënyrë agresive, për të na bërë trysni pa e kaluar vijën e konfliktit të armatosur” – tha para gazetarëve Thomas Ahrenkiel.
Ministri i Mbrojtjes i Danimarkës, Troels Lund Poulsen, tha se nuk ka kërcënim të drejtpërdrejt ushtarak ndaj vendit të tij.
Edhe shtete të tjera evropiane javëve të fundit janë ballafaquar me incidente prapa të cilave besohet ose dyshohet se mund të qëndrojë Rusia.
Aeroporti i Munihut në Gjermani u rihap, pasi disa raste ku u panë dronë e detyruan që të mbyllej dhe të anulonte më shumë se dhjetë fluturime të enjten mbrëma.
20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë dhe një aeroplan rus “MiG-31” hyri në hapësirën ajrore të Estonisë gjatë incidenteve të fundit.
Aeroportet në Kopenhagë dhe Oslo u detyruan që të mbylleshin, pasi dronë të paidentifikuar u panë afër tyre dhe në hapësira ajrore ushtarake./Nacionale