Inteligjenca amerikane zbuloi se zyrtarët izraelitë po e diskutonin përdorimin e mburojave njerëzore
Shtetet e Bashkuara grumbulluan të dhëna të inteligjencës vitin e kaluar për diskutime të zyrtarëve izraelitë se si ushtarët e tyre kishin dërguar palestinezë në tunelet e Gazës ku izraelitët besonin se ato tunele kishin lidhje të mundshme me lëndë shpërthyese, sipas dy ish-zyrtarëve amerikanë të afërt me çështjen.
Kjo informatë ishte ndarë me Shtëpinë e Bardhë dhe ishte analizuar nga komuniteti i inteligjencës në javët e fundit të administratës së ish-presidentit Joe Biden, thanë zyrtarët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
E drejta ndërkombëtare e ndalon përdorimin e civilëve si mburoja gjatë aktiviteteve ushtarake.
Zyrtarët brenda administratës së Bidenit për një kohë të gjatë kishin ngritur shqetësime rreth lajmeve të raportuara që tregonin se ushtarët izraelitë po i shfrytëzonin palestinezët për ta mbrojtur veten potencialisht në Gaza. Për mbledhjen e dëshmive nga vetë Uashingtoni rreth kësaj çështjeje nuk është raportuar më parë.
Të dhënat e inteligjencës amerikane, të mbledhura në muajt e fundit të vitit 2024, ngritën pyetje brenda Shtëpisë së Bardhë dhe komunitetit të inteligjencës për atë se sa gjerësisht po përdorej kjo taktikë dhe nëse ushtarët izraelitë po vepronin sipas udhëzimeve të udhëheqësve ushtarakë, thanë zyrtarët amerikanë.
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar rreth të dhënave të ndjeshme të sigurisë kombëtare, nuk ofruan hollësi për atë nëse palestinezët e përmendur në të dhënat e inteligjencës ishin të burgosur apo civilë.
Agjencia “Reuters” nuk mundi të përcaktonte nëse administrata e Bidenit ka diskutuar me Qeverinë e Izraelit për këto të dhëna të inteligjencës.
Ish-zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë në kohën e administratës së Bidenit dhe Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) nuk iu përgjigjën kërkesave për koment./Nacionale