Instituti britanik thotë se Rusia po e ndihmon Kinën për t’u përgatitur për pushtim të mundshëm të Tajvanit
Rusia është duke i shitur Kinës pajisje dhe teknologji ushtarake që do të mund ta ndihmonin Pekinin të përgatiste një pushtim të Tajvanit nga ajri, sipas një analize të dokumenteve të rrjedhura ruse nga një forum i mbrojtjes dhe sigurisë me bazë në Britani të Madhe.
Analiza e Institutit të Bashkuar Mbretëror të Shërbimeve (RUSI) është e mbështetur në rreth 800 faqe të dokumenteve, përfshirë kontrata e lista të pajisjeve që do t’i ofrohen Pekinit nga Moska. Dokumentet janë zbuluar nga grupi i hakerëve “Hëna e Zezë”, i cili në të kaluarën ka publikuar disa prej tyre në internet. Grupi nuk i identifikon anëtarët e vet, por veten e përshkruan si grup kundër qeverive që zbatojnë politikë të jashtme agresive, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Autorët e raportit të institutit RUSI ndanë disa prej dokumenteve me agjencinë “Associated Press” dhe thonë se ato duket se janë autentike, edhe pse disa pjesë të tyre mund të jenë ndryshuar ose hequr. Agjencia nuk ka mundësi që ta vërtetojë në mënyrë të pavarur autenticitetin e tyre.
Grumbulli i dokumenteve ruse të kompletuara dhe atyre që duken si drafte përmendin takime mes delegacioneve kineze e ruse – përfshirë vizita në Moskë – si dhe pagesa e afate për dorëzimin e sistemeve parashutiste me lartësi të madhe si dhe automjete sulmuese amfibe. Dokumentet sugjerojnë se Rusia e ka filluar punën për dorëzimin e këtyre produkteve, por ato nuk përmbajnë prova të drejtpërdrejta nga pala kineze se Pekini ka paguar ndonjë shumë të hollash apo se ka pranuar ndonjë pajisje.
Përderisa autorët argumentojnë se këto pajisje do të mund të përdoreshin për ta pushtuar Tajvanin, Kina nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping ka zbatuar një program të gjerë modernizimi të forcave të armatosura me qëllim të transformimit të tyre në ushtri të “klasit botëror” deri në vitin 2050.
Zyrtarë amerikanë të rangut të lartë kanë sugjeruar se presidenti kinez e ka urdhëruar ushtrinë që të përgatitet për një pushtim të mundshëm të Tajvanit jo më larg se viti 2027. Pekini pretendon se ishulli me vetëqeverisje demokratike është pjesë e Kinës dhe nuk e ka përjashtuar kapjen e Tajvanit përmes përdorimit të forcës./Nacionale