Inflacioni në Gjermani arrin nivelin më të lartë në 40 vite - NACIONALE

Inflacioni në Gjermani arrin nivelin më të lartë në 40 vite

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Hera e fundit që çmimet u rritën më shumë ishte për Gjermaninë Perëndimore në vitin 1981.

Më shumë se çdo faktor tjetër, rritja e çmimeve të energjisë, e përkeqësuar nga pushtimi rus i Ukrainës, po nxit inflacionin.

Sipas Deutche Welle, Gjermania nuk ka parë një inflacion të tillë që para ribashkimit të vendit

Të dhënat e publikuara të enjten, tregojnë se norma e inflacionit të Gjermanisë u rrit me ritmin e saj më të shpejtë që para ribashkimit, pasi pushtimi rus i Ukrainës shkaktoi një rritje të çmimeve të energjisë.

Çmimet e konsumit tani janë 7.4% më të larta se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, njoftoi agjencia gjermane e statistikave Destatis, bazuar në llogaritjet paraprake.

"Në veçanti, çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Ukrainë," tha Destatis.

Hera e fundit që çmimet u rritën me një ritëm më të shpejtë ishte për Gjermaninë Perëndimore në gjysmën e dytë të vitit 1981 – nëntë vjet përpara ribashkimit të Gjermanisë, pasi Lufta Iran-Irak shkaktoi rritje të çmimeve të naftës.

Scholz: Gjermania 'duhet të jetë' e gatshme për ndaljen e mundshme të gazit

Sot, Gjermania, si shumë nga fqinjët e saj, është shumë e varur nga furnizimet me gaz rus për të përballuar kërkesat e saj për energji.

Konflikti në Ukrainë ka bërë që çmimet të rriten, ndërkohë që kërcënimi i një ndalimi të mundshëm të furnizimeve mund ta shtyjë inflacionin edhe më lart nëse realizohet.

Kancelari Olaf Scholz tha të enjten se ishte e mundur që Rusia mund të pezullonte dërgesat e gazit në Gjermani, ashtu siç ka bërë për Poloninë dhe Bullgarinë, por tha se aktualisht ishte e mundur vetëm të "spekulohej" për këtë dhe se një spekulim i tillë nuk ishte domosdoshmërisht i dobishëm.

Megjithatë, kreu i qeverisë federale tha se Gjermania "duhet të përgatitet për" këtë skenar.

Scholz shtoi se qeveria gjermane kishte filluar përgatitjet për këtë gjë edhe para se Rusia të vendoste të pushtonte Ukrainën më 24 shkurt.

Në muajin mars, inflacioni në vend ishte ngjitur në 7.3%, përpara se të shënonte edhe një rritje tjetër në muajin prill.

Lajme të ngjashme