Indonezia nënshkruan kontratë me Turqinë për blerjen e 48 aeroplanëve luftarakë KAAN
Indonezia ka nënshkruar një kontratë për të blerë 48 aeroplanë luftarakë të tipit KAAN nga Turqia, tha të martën Ministria e Mbrojtjes e Indonezisë, duke e vulosur blerjen më të re nga shteti i Azisë Juglindore me qëllim të modernizimit të pajisjeve të vjetruara ushtarake.
Me qëllim të fuqizimit të forcave ajrore, Xhakarta në vitin 2022 gjithashtu kishte porositur 42 aeroplanë luftarakë francezë “Rafale” me vlerë të 8,1 miliardë dollarëve. Indonezia po ashtu është duke e shqyrtuar porositjen e aeroplanëve luftarakë kinezë J-10 dhe i vazhdon bisedimet për të blerë aeroplanë amerikanë F-15EX, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Indonezia dhe Turqia “nënshkruan një marrëveshje zbatimi” të shtunën e kaluar në margjinat e Panairit Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes në Stamboll, tha në një deklaratë zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Frega Wenas. Ai nuk ofroi hollësi të vlerës së kontratës ose datën e dorëzimit të aeroplanëve.
KAAN-i është aeroplani i parë luftarak që prodhohet nga Turqia dhe ai e kompletoi fluturimin e parë në shkurtin e vitit të kaluar, por prodhimi serik nuk pritet të fillojë deri në vitin 2028.
Ministria e Mbrojtjes e Turqisë e ka quajtur KAAN-in aeroplan të gjeneratës së pestë dhe ka thënë se ai do të funksionojë me dy motorë F-110 të prodhuesit “General Electric”, të cilët gjithashtu përdoren në aeroplanët amerikanë të gjeneratës së katërt, F-16.
Ministri i Mbrojtjes, Sjafrie Sjamsoeedin, ishe dëshmitar i nënshkrimit të marrëveshjes, tha zëdhënësi Frega, duke shtuar se nënshkrimi i kontratës e riafrimon përkushtimin e të dyja qeverive për fuqizimin e zhvillimit të përbashkët të teknologjisë dhe për zgjerimin e kapacitetit të industrisë së mbrojtjes të Indonezisë.
Indonezia gjithashtu ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me kompaninë turke “TAIS Shipyard” për blerjen e dy luftanijeve “Milgem Istif” gjatë panairit të mbrojtjes në Stamboll, sipas një postimi të ministrit indonezian të hënën vonë në rrjete sociale./Nacionale