India e nis punën në projekte të hidrocentraleve pas pezullimit të traktatit me Pakistanin
India e ka filluar punën për ta fuqizuar kapacitetin e rezervuarëve në dy projekte të hidro-energjisë në rajonin e Himalajeve në Kashmir, thanë burime me njohuri rreth çështjes, pasi tensionet e reja me Pakistanin e shtynë Indinë që të pezullonte një pakt për ndarjen e burimeve ujore.
Këto punime e paraqesin hapin e parë të prekshëm nga India për të vepruar jashtë marrëveshjeve që mbulohen nga Traktatiti i Ujërave të Indusit, të cilin të dyja vendet e kanë respektuar që nga viti 1960 pavarësisht nga zhvillimi i tri luftërave dhe disa konflikteve të tjera mes dy rivalëve që kanë armë bërthamore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Muajin e kaluar, megjithatë, India e pezulloi paktin me të cilin garantohej furnizimi me ujë për 80 për qind të fermave pakistaneze, pasi identifikoi si pakistanezë dy prej tre sulmuesve në një sulm ku mbetën të vrarë 26 persona në Kashmir.
Një proces i “pastrimit të rezervuarit” për largimin e sedimenteve filloi të enjten dhe u krye nga kompania më e madhe indiane e hidro-energjisë, NHPC, e cila menaxhohet nga shteti, dhe nga autoritetet në territorin federal Jammu e në Kashmir, thanë tri burimet.
Këto punime mund të mos e rrezikojnë menjëherë furnizimin e Pakistanit me ujë, shtet që varet nga lumenjtë që rrjedin nëpër Indi për një pjesë të madhe të ujitjes dhe hidro-energjisë, por vendi në fund mund të preket, nëse përpjekje të tilla fillojnë në diga të tjera.
Burimet shtuan se India nuk e njoftoi Pakistanin për punën në projektet Salal e Baglihar, që po bëhet për herë të parë që nga koha e ndërtimit të tyre më 1987 e 2008/09, pasi punime të tilla nuk lejoheshin nga traktati.