India dhe Filipinet nisin ushtrime të përbashkëta në Detin e kontestuar Jugor të Kinës
India dhe Filipinet nisën lundrime dhe ushtrime të përbashkëta detare në Detin e kontestuar Jugor të Kinës për herë të parë, dislokim ushtarak i profilit të lartë që pritet ta zemërojë Pekinin. Kina ka mosmarrëveshje të veçanta territoriale me këto dy shtete dhe një rivalitet të vjetër rajonal me Nju-Delhin.
Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë filipinase, Gjeneral Romeo Brawner, tha të hënën se ushtrimet dhe lundrimet detare dyditore, të cilat nisën të dielën, kanë qenë të suksesshme deri më tani dhe shprehu shpresë se forcat filipinase mund të angazhohen me ushtrinë indiane në më shumë manovra të përbashkëta në të ardhmen, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Kur u pyet nëse forcat kineze kishin kryer ndonjë veprim si kundërpërgjigje, ai tha pa dhënë hollësi: “Ne nuk përjetuam ndonjë incident të pakëndshëm, por prapëseprapë ishim të përcjellur. Ne tashmë e prisnim këtë.”
Në patrullat e përbashkëta në të kaluarën me forcat të huaja detare, anijet e forcave dhe rojës bregdetare kineze e kanë përcjellë situatën nga një largësi e caktuar, sipas ushtrisë filipinase.
Kina ka një mosmarrëveshje të vjetër për kufirin tokësor me Indinë në Himalaje, e cila kishte nxitur një luftë më 1962 dhe disa luftime vdekjeprurëse më vonë.
Pekini gjithashtu ka pretendime se tërë territori i Detit Jugor të Kinës i përket këtij shteti. Kjo ka nxitur ballafaqime të tensionuara me shtete të tjera që kanë pretendime konfliktuoze në atë pjesë, sidomos Filipinet dhe Vietnami. Malajzia, Brunei dhe Tajvani gjithashtu kanë pretendime për disa pjesë të ujërave të kontestuara.
Filipinet kanë kryer patrulla detare në ujërat e kontestuara me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë strategjikë, përfshirë Japoninë, Australinë, Zelandën e Re dhe Francën për ta promovuar lirinë e lundrimit dhe fluturimeve si dhe për t’i fuqizuar masat frenuese kundër Kinës./Nacionale