I miratohet vdekja e asistuar shkrimtarit kanadez për fëmijë, Robert Munsch
Shkrimtarit kanadez për fëmijë, Robert Munsch, i është miratuar vdekja me asistencë mjekësore në Kanada.
Munsch, në mesin e 85 librave të botuar të të cilit janë “The Paper Bag Princess” dhe “Love You Forever”, ishte diagnostikuar me demencë në vitin 2021 dhe gjithashtu vuan nga sëmundja e Parkinsonit, raporton televizioni BBC.
Shkrimtari 80-vjeçar i ka thënë revistës “The New York Times Magazine” se nuk ka marrë vendim për datën e vdekjes së tij, por shtoi se do ta bëjë këtë “kur të filloj të kem telashe të vërteta në të folur dhe në komunikim. Atëherë do ta di.”
Kanadaja e kishte legalizuar së pari eutanazinë (vdekjen me asistencë mjekësore) në vitin 2016 për njerëzit që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme. Më 2021, ligji u plotësua për t’i përfshirë edhe ata që kanë sëmundje fizike serioze dhe kronike, edhe në rrethana kur jeta e tyre nuk është në rrezik.
Munsch ka shitur më shumë se 80 milionë kopje të librave të tij vetëm në Amerikën e Veriut dhe veprat e tij janë përkthyer në të paktën 20 gjuhë, përfshirë arabishten e spanjishten.
Në vitin 1999, Munsch ishte bërë anëtar i Urdhrit të Kanadasë. Një dekadë më vonë, atij iu dha ylli në “Walk of Fame” në Toronto.
Në intervistën me revistën “The New York Times Magazine”, Munsch tha se në vendimin e tij ka ndikuar koha kur e kishte parë vëllanë e vet duke vdekur nga sëmundja Lou Gehrig, e njohur edhe si skleroza laterale amiotrofike (ALS) – forma më e zakonshme e sëmundjes MND.
Në Kanada, personat mbi moshën 18-vjeçare duhet të plotësojnë disa kushte për të pasur të drejtë për eutanazi. Në to përfshihen “sëmundja serioze dhe e pashërueshme”, “kërkesa vullnetare që nuk është rezultat i presionit të jashtëm” dhe që të jetë “në gjendje të avancuar të rënies së pakthyeshme të aftësisë”./Nacionale