I izoluar nga Evropa, Lukashenko premton zgjerim bashkëpunimi me Korenë Veriore
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, ka premtuar se do ta zgjerojë bashkëpunimin me Penjanin në një porosi dërguar udhëheqësit të Koresë Veriore, Kim Jong Un, tha të premten Ministria e Jashtme e Koresë Veriore.
“Unë pohoj se do të punoj për ta zgjeruar më tej bashkëpunimin me RPDK-në [Republikën Popullore Demokratike të Koresë, emri zyrtar i Koresë Veriore] për ta bërë atë me plot përmbajtje të re dhe programe të përbashkëta të dhurimit të përfitimeve reciproke për mirëqenien e përmirësuar të popujve të vendeve tona” – citohet të ketë thënë Lukashenko në deklaratë, raporton agjencia “Reuters”.
Porosia e presidentit bjellorus erdhi si përgjigje ndaj dërgimit të përgëzimeve nga Kimi i Koresë Veriore me rastin e Ditës Kombëtare të Bjellorusisë, thuhet në deklaratë.
Koreja Veriore dhe Bjellorusia kanë lidhje të ngushta me Rusinë, e cila është bërë më e izoluar në rrafshin diplomatik në skenën globale që nga dhënia e urdhrit për të dërguar dhjetëra mijëra ushtarë në Ukrainë më 24 shkurt 2022.
Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, Maxim Vladimirovich Ruzenkov, udhëtoi në Kore të Veriut dhe u takua me zyrtarë të lartë qeveritarë këtë javë, përfshirë kryeministrin Kim Tok Hun, dhe ministren e Punëve të Jashtme, Choe Son Hui, raportuan mediat shtetërore të vendit të largët aziatik.
Në një pritje në hotelin “Koryo” në Penjan për kryediplomatin bjellorus të martën, agjencia shtetërore e lajmeve në Kore të Veriut, KCNA, tha se Choe foli për “forcimin e marrëdhënieve në mënyrë gjithëpërfshirëse” mes dy vendeve.