I bie fitimi me të madhe, Volkswageni thotë se do të mbyllë 50.000 vende pune
Prodhuesi i njohur gjerman i veturave, Volkswagen, ka thënë se do të mbyllë 50.000 vende pune në Gjermani deri më 2030, përderisa fitimi i kompanisë ra në nivelin më të ulët që nga viti 2016.
Shefi ekzekutiv i VW-së, Oliver Blume, u tha aksionarëve se shuarja e këtyre vendeve të punës do të ndodhë në Gjermani dhe do ta përfshijë tërë grupin e prodhuesve, pa i përjashtuar Audi-në dhe Porsche-në, raporton televizioni BBC.
Prodhuesi më i madh i veturave në Evropë tha se fitimi pas taksave vitin e kaluar ra për rreth 44 për qind, duke shtuar se u godit nga taksat e importit nga ShBA-ja, konkurrenca intensive nga Kina dhe kostot e larta të ristrukturimit për të lëvizur drejt prodhimit të automjeteve elektrike.
Kompania parashikon rimëkëmbje vitin e ardhshëm, por shefi i saj i financave theksoi se prodhuesi duhet të përqendrohet në mënyrë të rreptë te zvogëlimi i kostove.
“Gjithsej rreth 50.000 vende pune pritet të shuhen deri më 2030 në mbarë Volkswagen Group-in në Gjermani. Jemi duke operuar në një mjedis fundamentalisht të ndryshëm” – u tha Blume në një letër aksionarëve në raportin vjetor të kompanisë.
Korporata tashmë kishte arritur një marrëveshje me sindikatat e punëtorëve për të shuar më shumë se 35.000 vende pune në mbarë Gjermaninë deri më 2030 me qëllim që të kursejë rreth 15 miliardë euro.
VW-ja si dhe prodhues të tjerë gjermanë të veturave janë prekur rëndë nga rënia e kërkesës për automjetet e tyre në Kinë, shtet që më parë ishte treg fitimprurës për to.
Në të njëjtën kohë, prodhues kinezë të veturave kanë depërtuar në Evropë, duke e rritur konkurrencën për shitje./Nacionale