Hyn në fuqi taksa e Trumpit prej 50 për qind ndaj importeve të çelikut dhe aluminit - NACIONALE

Hyn në fuqi taksa e Trumpit prej 50 për qind ndaj importeve të çelikut dhe aluminit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër për dyfishimin e taksave ndaj importeve të çelikut dhe aluminit nga 25 në 50 për qind.

Me këtë vendim rriten për herë të dytë nga marsi taksat ndaj metaleve, që janë lëndë kyçe në prodhimin e shumë produkteve, nga ushqimi i konservuar te automjetet, raporton televizioni BBC.

Trumpi ka thënë se me këto masa, të cilat hynë në fuqi të mërkurën, synohet që të sigurohet e ardhmja e industrisë amerikane të çelikut.

Megjithatë, kritikët thonë se masat mbrojtëse mund të kenë pasoja të rënda ndaj prodhuesve të çelikut jashtë Shteteve të Bashkuara, të nxisin hakmarrje nga partnerët tregtarë dhe të kenë kosto ndëshkuese për vetë përdoruesit amerikanë të metaleve.

Disa orë para hyrjes në fuqi të vendimit, shumë kompani që preken drejtpërdrejt nga kjo masë zor se mund të besonin që plani po ecte tutje, duke shpresuar për një pezullim të përkohshëm ose për bisedime që të zgjidhej çështja.

Nga vendimi i ri u përjashtuan importet nga Britania e Madhe, taksa ndaj të cilave mbetet 25 për qind. Trumpi ka thënë se ky përjashtim i pasqyron bisedimet tregtare që po vazhdojnë mes Uashingtonit e Londrës.

Shtetet e Bashkuara janë importueset më të mëdha të çelikut në botë, pas Bashkimit Evropian, dhe shumicën e këtij metali e blejnë nga Kanadaja, Brazili, Meksika dhe Koreja e Jugut, sipas të dhënave qeveritare amerikane.

Gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi kishte vendosur taksë prej 25 për qind ndaj importeve të çelikut dhe 10 për qind ndaj aluminit, duke cituar një ligj që i jep autoritet atij për të mbrojtur industri që konsiderohen jetike për sigurinë kombëtare.

Sidoqoftë, shumë importe në fund kishin shpëtuar nga taksat, pasi Uashingtoni bëri marrëveshje tregtare me aleatë dhe ofroi përjashtime për importe të caktuara me kërkesë të kompanive./Nacionale

Lajme të ngjashme