Hungaria thotë se s’do të heqë dorë nga nafta ruse pavarësisht kërkesës së ShBA-së
Hungaria nuk do të largohet nga blerja e energjisë ruse, i ka thënë gazetës “The Guardian” ministri i Jashtëm i këtij vendi, Peter Szijjarto, pavarësisht nga kërkesa e Shtëpisë së Bardhë për aleatët e NATO-s që të ndërpresin një praktikë të tillë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar që Evropa ta ndërpresë importimin e naftës ruse, por në një intervistë të realizuar në margjinat e sesionit të 80-të vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryediplomati hungarez tha: “Ne nuk mund ta sigurojmë furnizimin e sigurt [me produkte të energjisë] për vendin tonë pa burimet ruse të naftës ose gazit”, edhe pse shtoi se “e kupton” qasjen e Trumpit.
“Për ne, dërgesat e energjisë janë çështje tërësisht fizike. Mund të jetë bukur që të ëndërrohet për blerjen e naftës dhe gazit nga diku [tjetër prej Rusisë]... por ne mund të blejmë vetëm nga vendet ku e kemi infrastrukturën” – shtoi Szijjarto.
“Dhe nëse e shikoni infrastrukturën fizike, është e qartë se pa dërgesat ruse, është e pamundshme që të sigurohet furnizimi i sigurt i vendit” – tha më tej ministri hungarez.
Komentet e tij erdhën pasi Trumpi i kushtëzoi sanksionet e reja ndaj Rusisë me shkëputjen e NATO-s nga furnizimi me energji ruse.
“Unë jam i gatshëm që të bëj sanksione të mëdha ndaj Rusisë, kur të gjitha vendet e NATO-s të jenë pajtuar dhe të kenë filluar që ta bëjnë të njëjtën gjë dhe kur të gjitha vendet e NATO-s ta ndërpresin blerjen e naftës ruse nga Rusia” – shkroi Trumpi javën e kaluar në rrjetin “Truth Social”.
Kjo kërkesë erdhi pas disa afateve që presidenti ia kishte vendosur Rusisë për të shënuar progres rreth përfundimit të luftës me Ukrainën dhe të cilat kaluan pa ndonjë masë të mëtejme. Disa aleatë kanë pyetur nëse kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka seriozisht rritjen e presionit ndaj homologut Vladimir Putin apo thjesht po e hedh topin në fushën e Evropës.
Kompania shtetërore hungareze, “MOL Group”, importon rreth 5 milionë tonë naftë në vit përmes naftësjellësit “Druzhba”, duke i furnizuar me naftë të papërpunuar rafineritë në Hungari dhe Sllovaki. Këto dy shtete u kanë bërë më së shumti rezistencë thirrjeve për ndërprerjen e importeve të energjisë nga Rusia.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, është njëri nga aleatët më të ngushtë ideologjikë të Trumpit në Evropë dhe vazhdimisht e ka vlerësuar lart atë. Orbani gjithashtu e ka kritikuar ashpër Ukrainën, ndërsa ka mbajtur lidhje miqësore me Kremlinin./Nacionale