Hungaria e Sllovakia pritet ta tërheqin kundërshtimin për Rutten sekretar të NATO-s
Mediat holandeze raportojnë se Hungaria e ka tërhequr kundërshtimin e saj që kryeministri i deritashëm holandez, Mark Rutte, të bëhet sekretar i Përgjithshëm i NATO-s pas takimeve në Bruksel, ndërsa edhe presidentja e Sllovakisë të martën herët dha shenjë për mbështetjen e mundshme të vendit të saj për politikanin holandez.
Aleanca e fuqishme ushtarake po synon që ta arrijë konsensusin e detyrueshëm në mesin e 32 vendeve anëtare për një figurë që do ta zëvendësojë norvegjezin Jens Stoltenberg në postin e sekretarit të Përgjithshëm pas largimit të tij në tetor, raporton Radio “Evropa e Lirë”.
Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Turqia kanë thënë se ato do ta mbështesin kandidaturën e Ruttes.
Nëse vërtetohen raportimet se Hungaria dhe Sllovaki tashmë e përkrahin Rutten, Rumania do të ishte vendi i fundit që po reziston. Të gjitha shtetet e NATO-s duhet t’ia japin dritën e gjelbër një kandidati për ta siguruar mandatin 4-vjeçar në postin e lartë.
Televizioni holandez, RTL, citoi të martën burime të paidentifikuara të kenë thënë se Budapesti “nuk e kundërshton më kandidaturën [e Ruttes]” pas një takimi mes Ruttes dhe kryeministrin hungarez, Viktor Orban, në margjina të një takimi të udhëheqësve të BE-së.
Zëdhënësi i Orbanit, Zoltan Kovacs, konfirmoi në rrjetin X se Orbani dhe Rutte ishin takuar të hënën vonë para samitit të BE-së për t’u përqendruar në “çështje dypalëshe dhe ndërkombëtare”.
🇳🇱🤝🇭🇺 @PM_ViktorOrban held talks with @MinPres Mark Rutte on Monday evening in Brussels ahead of the EU summit, focusing on bilateral and international issues. pic.twitter.com/zwruP81YeF
— Zoltan Kovacs (@zoltanspox) June 17, 2024
Mediumi holandez, NOS, e citoi zëdhënësin e Orbanit të ketë thënë se kryeministri hungarez dhe Rutte kishin një “bisedë të mirë”.
Nuk ka pasur deklarata publike nga zyrtarët hungarezë për ndonjë ndryshim pozicioni.
Orbani kishte thënë më herët këtë muaj se do t’i jepte fund kundërshtimit ndaj kandidaturës së Ruttes për sekretar të NATO-s, nëse holandezi do të kërkonte falje për kritikat ndaj qeverisë së tij në Budapest dhe nëse do ta lejonte Hungarinë për ta përjashtuar veten nga planet e aleancës për ndihma për Ukrainën.