Hungaria bllokon 50 miliardë euro fonde të BE-së për Ukrainën - NACIONALE

Hungaria bllokon 50 miliardë euro fonde të BE-së për Ukrainën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Hungaria ka bllokuar 50 miliardë euro ndihma të Bashkimit Evropian për Ukrainën. Ky veprim erdhi vetëm disa orë pas marrëveshjes brenda BE-së për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Kievin.

“Përmbledhja e ndërrimit të natës: veto për paratë shtesë për Ukrainën”- tha kryeministri hungarez, Viktor Orban, pas bisedimeve të së enjtes në Bruksel, raporton televizioni BBC.

Udhëheqësit e BE-së thanë se bisedimet për ndihmat për Ukrainën do të rinisin në fillim të vitit të ardhshëm.

Ukraina varet në mënyrë kritike nga fondet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, përderisa po e vazhdon luftën kundër forcave pushtuese ruse.

Bllokimi i ndihmave miliardëshe u njoftua nga Orbani pak pas vendimit të udhëheqësve të BE-së për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Ukrainën dhe Moldavinë dhe për t’ia dhënë statusin e vendit kandidat Gjeorgjisë.

Hungaria, e cila mban marrëdhënie të ngushta me Rusinë, për një kohë të gjatë e ka kundërshtuar anëtarësimin e Ukrainës në BE, por nuk e shfrytëzoi veton të enjten për hapjen e bisedimeve.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e vlerësoi lart vendimin e BE-së për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, duke e quajtur fitore.

Duke e komentuar kundërshtimin e Orbanit për ndihmat e Ukrainës, kryeministri në largim i Holandës, Mark Rutte, tha: “Ende kemi ca kohë, Ukraina nuk mbetet pa para në disa javë të ardhshme.”

Ndërkohë, Ukraina po e pret dëshpërimisht edhe miratimin e pakos me vlerë të 61 miliardë dollarëve të ndihmave të mbrojtjes nga ShBA-ja, por edhe ky vendim po shtyhet për shkak të mosmarrëveshjeve të thella mes ligjvënësve demokratë e republikanë në Kongres.

Kundërsulmi i forcave ukrainase kundër rusëve u ndërpre në fillim të dimrit dhe ka frikë se forcat pushtuese thjesht mund t’ua marrin anën ukrainasve.

Javën e kaluar, bashkëshortja e Zelensky-t, Olena, paralajmëroi në një intervistë për BBC-në se ukrainasit janë “në rrezik vdekjeje” për t’u lënë që të vdesin, nëse shtetet perëndimore nuk e vazhdojnë përkrahjen financiare për vendin e saj.

Ukraina dhe Moldavia fqinje aplikuan për anëtarësim në BE pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Të dy vendeve iu dha statusi i shtetit kandidat në qershor, ndërsa Gjeorgjisë jo atë kohë.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme