HRW: Turqia bart përgjegjësi për krime të mundshme lufte në Siri
Organizata e njohur për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch”, tha të enjten se Turqia bart përgjegjësi për disa nga abuzimet dhe krimet e mundshme të luftës të kryera në Siri, kryesisht kundër banorëve kurdë në veri të Sirisë.
Grupi me bazë në Nju-Jork tha se abuzimet janë kryer nga forcat turke dhe nga grupet e armatosura të mbështetura nga Ankaraja në zonat që ato i kontrollojnë, në veri të Sirisë, raporton agjencia “Associated Press”.
Nuk pati reagim të menjëhershëm nga Turqia për këto akuza, të cilat u publikua në një raport prej 74 faqesh nga HRW-ja.
Si fuqi pushtuese në veri të Sirisë, Turqia e ka pasur përgjegjësinë për t’i rivendosur rendin dhe sigurinë publike, për t’i mbrojtur banorët dhe për t’i mbajtur në llogari ata që janë përgjegjës për abuzimet, thuhet në këtë raport.
Nga viti 2016, Turqia ka kryer tri operacione domethënëse brenda Sirisë, duke e vënë në shënjestër grupin kryesor militant kurd – YPG – që përkrahet nga ShBA-ja, por që cilësohet organizatë terroriste nga Turqia, e cila thotë se YPG-ja është degë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit - PKK, e ndaluar me ligj nga Ankaraja.
PKK-ja me dekada ka zhvilluar kryengritje brenda Turqisë kundër pushtetit në Ankara.
Hyrjet e forcave turke dhe luftimet pasuese kanë zhvendosur qindra mijëra kurdë. Disa prej atyre që kanë qëndruar, i kanë thënë organizatës HRW se kanë pësuar abuzime nga trupat ruke dhe një koalicion i luftëtarëve opozitarë, të armatosur e të financuar nga Ankaraja.
“Abuzimet e vazhdueshme, përfshirë torturën dhe zhdukjet me forcë të atyre që jetojnë nën autoritetin turk në veri të Sirisë, do të vazhdojnë, nëse Turqia vetë nuk e merr përgjegjësinë dhe nëse nuk vepron për t’i ndaluar ato” – tha Adam Coogle, zëvendësdrejtor i HRW-së për Lindje të Mesme.
“Zyrtarët turq nuk janë thjesht spektatorë ndaj abuzimeve, por bartin përgjegjësi si fuqi pushtuese. Në disa raste, [zyrtarët turq] kanë qenë drejtpërdrejt të përfshirë në ato që duken si krime lufte” – shtoi ai.