Holanda i bashkohet koalicionit për furnizimin e Ukrainës me dronë të avancuar - NACIONALE

Holanda i bashkohet koalicionit për furnizimin e Ukrainës me dronë të avancuar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Holanda do t’i bashkohet një koalicioni qeveritar me aleatët, përfshirë Britaninë, që do ta furnizojë Ukrainën me teknologji të avancuar dronësh dhe për t’i fuqizuar kapacitetet e saj të ofensivës në luftën kundër Rusisë, tha ministrja e Mbrojtjes e Holandës.

Zotimi nga Holanda vjen si shtesë ndaj aeroplanëve luftarakë F-16, artilerisë, municionit e sistemeve të mbrojtjes ajrore që holandezët ia kanë ofruar Kievit, raporton agjencia “Reuters”.

Për Holandën, mund të ketë kosto shtesë përpos 2 miliardë eurove tashmë të ndara për vitin 2024, tha ministrja e Mbrojtjes, Kasja Ollongren, në një intervistë për agjencinë “Reuters” para takimit dyditor të ministrave të mbrojtjes të vendeve të NATO-s në Bruksel, që do të nisë të mërkurën.

“Ne sigurisht e dimë se dronët janë shumë të rëndësishëm në këtë luftë. Për këtë arsye, ne po i bashkohemi koalicionit të dronëve që Ukraina e ka nisur bashkë me Letoninë, bashkë me shtete të tjera, për t’i siguruar që ne ta bëjmë mu këtë – ta shtojmë prodhimin, ta përdorim teknologjinë më të re dhe t’ia ofrojmë saktësisht Ukrainës atë që ka nevojë” – tha zonja Ollongren.

Muajin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës njoftoi muajin e kaluar për pjesëmarrjen e Britanisë në koalicionin e dronëve.

Dronët janë bërë pjesë jetike e strategjive të Rusisë dhe Ukrainës në luftë për operacione zbulimi e sulme ndaj caqeve, duke iu falënderuar kryesisht kostos relativisht të ulët të tyre.

Të dyja palët e konfliktit tani po përdorin mijëra dronë të vegjël e jo shumë të shtrenjtë, të prodhuar fillimisht për entuziastë e garues.

Ukraina synon që të prodhojë mijëra dronë me rreze të gjatë që mund të kryejnë sulme të thella në territorin e Rusisë këtë vit dhe tashmë ka deri në dhjetë kompani që po punojnë për prodhim, sipas ministrit ukrainas, Mykhailo Fedorov.

Lajme të ngjashme