Holanda e dënon me burgim të përjetshëm liderin e kartelit të drogës për pesë vrasje - NACIONALE

Holanda e dënon me burgim të përjetshëm liderin e kartelit të drogës për pesë vrasje

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë holandeze e ka dënuar udhëheqësin e një karteli brutal të kokainës me burgim të përjetshëm për një fushatë të vrasjeve dhe vrasjeve në tentativë, të cilën prokurorët e përshkruan si “makinë vrasëse e lyer mirë me vaj”.

Ridouan Taghi ishte në mesin e tre anëtarëve të bandës që u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa 14 të tjerë u dënuan me burgim nga 21 muaj deri në 29 vjet pas njërit prej gjykimeve më të mëdha në historinë penale të Holandës. Procesi zgjati gjashtë vjet dhe u mbizotërua nga tri vrasje më të ndërlidhura, raporton gazeta “The Guardian”.

Policë të maskuar dhe të armatosur e rrethuan objektin e gjykatës, e njohur si Bunker, në periferi të Amsterdamit të martën, përderisa gjykatësit, emrat e të cilëve nuk u publikuan dhe fytyrat e të cilëve u fshehën nga pamja, i lexuan vendimet. Disa dronë dhe një helikopter policie fluturonin mbi objektin e gjykatës.

“Po i dënojmë të gjithë të dyshuarit. Taghi dënohet me burgim të përjetshëm” – tha gjykatësi. Gjykata vlerësoi se Taghi ishte “udhëheqësi i papenguar” i bandës, që mendohet se është njëra nga kartelet më të mëdha të drogës në Holandë, dhe se procesi, i njohur si rasti “Marengo”, ka qenë i drejtë.

Taghi, i cili ishte arrestuar në Dubai dhe ishte ekstraduar më 2019, dhe disa prej të pandehurve nuk morën pjesë në seancën përfundimtare të këtij rasti, i cili e kishte dridhur Holandën, përderisa ishin shpërfaqur hollësitë e bandave të dhunshme e sekrete të drogës.

Rasti kishte të bënte me gjashtë akuza për vrasje, katër akuza për vrasje në tentativë dhe disa për planifikim të operacioneve të ndryshme për ekzekutim në periudhën 2015 – 2017, kryesisht kundër personave për të cilët banda dyshonte se ishin bërë informatorë të policisë.

Gjykata e shpalli Taghi-n fajtor për pesë vrasje. “Ai vendosi se kush do të vritej dhe nuk kurseu askënd. Sasia e vuajtjes që Taghi ua shkaktoi viktimave dhe të dashurve të tyre është zor e imagjinueshme” – tha gjykatësi.

Tri vrasje, të gjitha të lidhura me një anëtar të dyshimtë të bandës të identifikuar si Nabil B, i cili ishte dorëzuar në polici dhe ishte pajtuar që të bëhej dëshmitari kryesor i prokurorisë, ishin kryer gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor dhe janë subjekt i një rast tjetër në gjykatë.

Vëllai i Nabil B-së ishte vrarë më 2018. Avokati i tij, Derk Wiersum, ishte qëlluar për vdekje para shtëpisë së tij në Amsterdam një vit më pas, ndërsa në korrik të vitit 2021, Peter R de Vries, gazetar i njohur që kishte qenë duke vepruar si person me të cilin Nabil B kishte ndarë të dhëna, ishte vrarë në pjesën qendrore të Amsterdamit.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme