Holanda do t’i dhurojë Ukrainës 18 aeroplanë luftarakë F-16
Holanda do t’i japë Ukrainës 18 aeroplanë luftarakë të tipit F16 për ta ndihmuar luftën e këtij vendi kundër pushtimit rus, tha të premten qeveria holandeze.
“Sot e informova Presidentin Zelensky për vendimin e qeverisë sonë për të përgatitur fillimisht 18 aeroplanë luftarakë F-16 për dërgim në Ukrainë”- shkroi në rrjetin X kryeministri në detyrë i Holandës, Mark Rutte.
“Dhurimi i F-16-shave është njëri nga elementet më të rëndësishme të marrëveshjeve të bëra për mbështetje ushtarake për Ukrainën”- shtoi ai.
📞: I spoke with President @ZelenskyyUa again this morning. Naturally, we discussed the European Council’s important decision last week to launch accession negotiations with Ukraine. I’m impressed with Ukraine’s progress so far, and the Netherlands stands ready to help Ukraine as…
— Mark Rutte (@MinPres) December 22, 2023
Dërgimi i aeroplanëve luftarakë është ende pezull deri në lëshimin e lejes së eksportit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe përmbushjen e kritereve për stafin dhe infrastrukturën për ta në Ukrainë, njoftoi Rutte, pa dhënë afat për këto vendime, raporton agjencia "Reuters".
Megjithatë, njoftimi i ka bërë të mundshëm rezervimin e fondeve dhe përgatitjen e aeroplanëve për dërgesë, tha qeveria holandeze.
“Fola me Mark Rutte-n për ta falënderuar qeverinë holandeze për vendimin e saj për ta filluar përgatitjen e 18 aeroplanëve fillestarë F-16 për dërgesë në Ukrainë”- shkroi në rrjetin X presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Përpos Holandës, edhe Norvegjia e Belgjika kanë njoftuar se do t’i dhurojnë aeroplanë të këtij lloji Ukrainës, pasi Shtetet e Bashkuara e kishte miratuar dërgimin e tyre për ta mbrojtur Ukrainën kundër rusëve porsa të përfundojë trajnimi i pilotëve ukrainas.