Historike: Gati 200 shtete pajtohen në samitin e klimës për largimin nga lëndët djegëse - NACIONALE

Historike: Gati 200 shtete pajtohen në samitin e klimës për largimin nga lëndët djegëse

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Përfaqësuesit e gati 200 shteteve u pajtuan të mërkurën në samitin për klimën, COP28, që po mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara, që ta fillojnë pakësimin global të përdorimit të lëndëve djegëse për t’i shmangur pasojat më të rënda të ndryshimeve klimatike. Kjo është marrëveshja e parë e llojit të vet që e sinjalizon fundin e mundshëm të epokës së naftës.

Pakti i arritur në Dubai pas dy javëve me bisedime të vështira e ka për qëllim dërgimin e një sinjali të fuqishëm te investitorët dhe politikëbërësit që bota tani është e bashkuar përreth dëshirës së saj për t’u ndarë nga lëndët djegëse, diçka që shkencëtarët e quajnë shpresa e fundit më e mirë për ta shmangur katastrofën klimatike, raporton agjencia “Reuters”.

“Është hera e parë që bota bashkohet përreth një teksti të tillë të qartë për nevojën e tranzicionit për t’u larguar nga lëndët fosile”- tha ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide.

Më shumë se 100 shtete kishin lobuar fort për gjuhë të fuqishme në marrëveshjen e samitit COP28 për t’i nxjerrë nga përdorimi naftën, gazin dhe thëngjillin, por ishin ballafaquar me kundërshtimin e fuqishëm nga grupi i vendeve prodhuese të naftës, i udhëhequr nga Arabia Saudite, OPEC.

Ky ballafaqim i detyroi përfaqësuesit e vendeve në këtë samit që të punonin edhe jashtë orarit të planifikuar të mërkurën.

Tani që marrëveshja është arritur, shtetet janë përgjegjëse për t’i përmbushur paktet përmes politikave dhe investimeve shtetërore.

Pas njoftimit të marrëveshjes, në sallën ku po mbahej samiti shpërthyen duartrokitje të gjata e të fuqishme.

Lajme të ngjashme