Histori interesante: A e dini se Gjermania ka një komunë brenda territorit të Zvicrës? - NACIONALE

Histori interesante: A e dini se Gjermania ka një komunë brenda territorit të Zvicrës?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndoshta nuk e keni ditur, por Gjermania ka një enklavë jashtë territorit të saj kryesor, më saktësisht brenda territorit të Zvicrës –Komuna Büsingen am Hochrhein. Cila është historia e kësaj cope toke të rrethuar me territor zviceran?

Komuna Büsingen am Hochrhein, e njohur shkurtimisht vetëm si Büsingen, ka sipërfaqe prej 7.62 kilometrash katror dhe ndodhet brenda territorit zviceran, afër kufirit të Zvicrës me Gjermaninë.

Në këtë enklavë jetojnë rreth 1.500 njerëz. Që nga pjesa e parë e shekullit XIX, fshati komunë është ndarë nga pjesa tjetër e Gjermanisë nga një rrip i hollë toke. Largësia nga qyteza zvicerane, Schaffhausen, është vetëm rreth pesë kilometra.

Politikisht, Büsingen-i është pjesë e Gjermanisë dhe formon një pjesë të distriktit gjerman, Konstanz, por ekonomikisht është pjesë e unionit zviceran të doganave, bashkë me Principatën e Lihtenshtajnit. Për shkak të këtyre rrethanave, mes Büsingen-it dhe Zvicrës nuk ka kontrolle kufitare që nga 4 tetori i vitit 1967.

Historia

Kjo komunë ishte për një kohë të gjatë nën kontroll të austriakëve, edhe pse sovraniteti austriak nuk kishte kaluar pa u sfiduar nga zviceranët.

Fshati ishte bërë pjesë e mbretërisë gjermane të Württemberg-ut sipas Marrëveshjes së Pressburg-ut për Paqe më 1805 gjatë Luftërave të Napoleonit.

Më 1918, pas Luftës së Parë Botërore, në Büsingen ishte mbajtur një referendum. 96 për qind e votuesve kishin votuar që vendbanimi të bëhej pjesë e Zvicrës. Sidoqoftë, transferimi i territorit nuk kishte ndodhur, sepse Zvicra nuk mund t’i ofronte Gjermanisë ndonjë pjesë të përshtatshme toke si shkëmbim. Edhe përpjekjet e mëvonshme për ta bërë fshatin pjesë të Zvicrës ishin të pasuksesshme dhe, rrjedhimisht, Büsingen-I ka mbetur enklavë gjermane që nga ajo kohë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Zvicra e kishte mbyllur kufirin, duke e lënë Büsingen-in të shkëputur nga Rajhu i Tretë. Ushtarët gjermanë, që shkonin për pushim në vendlindje, detyroheshin që t’i dorëzonin armët në pikat kufitare. Zyrtarët zviceranë të doganave u jepnin atyre rroba për t’i mbuluar uniformat gjermane gjatë periudhës së udhëtimit nëpër territorin zviceran për në shtëpitë e tyre në Büsingen.

Në kohën e Konferencës së Yalta-s, më 1945, humbja e plotë gjermane ishte e pashmangshme. Kufijtë ndërzonalë të Gjermanisë së pushtuar nga Forcat Aleate ishin vendosur në këtë konferencë, ndërsa Büsingen-i ishte caktuar në zonën e kontrolluar nga Franca. Prapëseprapë, qeveria zvicerane kishte refuzuar që ta shqyrtonte aneksimin e këtij vendbanimi me arsyetimin se transferimi i territorit mund të negociohej vetëm me një qeveri sovrane gjermane, e cila nuk ekzistonte pas dorëzimit të Gjermanisë.

Sidoqoftë, Zvicra e kishte ndarë shqetësimin me Forcat Aleate se kjo enklavë mund të bëhej strehë për kriminelët nazistë të luftës, prandaj ishte bërë shpejt një marrëveshje për të lejuar numër të kufizuar të ushtarëve francezë që të kalonin nëpër Zvicër me qëllim të ruajtjes së rendit dhe ligjit në Büsingen. Pas formimit të Republikës Federale të Gjermanisë, Büsingen-i përfundimisht ishte bërë pjesë e shtetit të ri të Baden-Württemberg-ut.

Më 9 shtator 1957, një konferencë mes Zvicrës dhe atëherë asaj që quhej Gjermani Perëndimore ishte mbajtur në Locarno të Zvicrës. Qëllimi i kësaj konference ishte rregullimi i juridiksionit të të dyja vendeve në Büsingen.

Pak me Zvicrën, pak me Gjermaninë

Jetesa në Büsingen nuk është shumë e zakonshme, sepse banorët janë të lidhur ngushtë me dy shtete. Ai është fshati i vetëm gjerman ku njerëzit i përdorin zakonisht frangat zvicerane, edhe pse euroja është valutë e ligjshme në tërë Gjermaninë. Deri në fund të viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, markat gjermane nuk pranoheshin në Büsingen.

Fshati furnizohet me rrymë nga Zvicra dhe banorët e paguajnë rrymën në franga zvicerane. Banorët mund të zgjedhin sigurim shëndetësor sipas sistemit gjerman ose sipas sistemit zviceran. Sigurimi shëndetësor është i detyrueshëm në të dyja vendet.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme